“Plani i veprimit” forcon besimin e investimeve të huaja te Kina

Nga R.ZH
896 e lexuar
A+ A-
Rivendos

“Mbështetja e Kinës për investimet e huaja nuk qëndron vetëm te fjalët, por përfshin ndërmarrjen e veprimeve konkrete dhe zgjidhjen e problemeve reale, gjë që na jep besim të fortë për thellimin e pranisë sonë në tregun kinez,” tha Cai Yan, zv.presidentja e lartë globale dhe presidentja për rajonin e Kinës së Madhe e kompanisë biofarmaceutike “Novo Nordisk” të Danimarkës, që merr pjesë në Ekspozitën e 4-t Ndërkombëtare të Zinxhirit të Furnizimit të Kinës në Pekin. Në këtë ekspozitë, qeveria kineze publikoi të hënën “Planin e veprimit për stabilizimin dhe përmirësimin e investimeve të huaja”. Opinioni publik ndërkombëtar mendon se ky dokument i rëndësishëm i publikuar nga Kina në vitin e fillimit të Planit të 15-të Pesëvjeçar lëshon një sinjal të qartë për zgjerimin e hapjes me nivel të lartë, duke u dhënë investimeve të huaja vrull dhe besim më të fortë për thellimin e biznesit në Kinë.

Në këtë plan paraqiten 15 masa konkrete në pesë fusha kryesore, përkatësisht zgjerimi i hyrjes në treg, shtimi i lehtësive për investitorët e huaj, promovimi i investimeve, përsosja e sistemit të shërbimeve mbështetëse për investitorët e huaj dhe përmirësimi i menaxhimit të investimeve të huaja. Pan Yuanyuan, studiuese e strategjisë globale në Akademinë e Shkencave Sociale të Kinës, u shpreh se plani pragmatik balancon nevojat e Kinës me pritshmëritë globale, duke sjellë mundësi të rëndësishme për zhvillimin e përbashkët të vendeve të ndryshme.

Për investimet e huaja, zgjerimi i hyrjes në tregun kinez do të thotë hapësirë më e madhe zhvillimi. Tani kufizimet në sektorin e prodhimit të Kinës janë eliminuar plotësisht. Plani përqendrohet në zgjerimin e hyrjes në treg në fushat e shërbimeve, financave, farmaceutikës etj. Kjo jo vetëm përputhet me nevojat e transformimit dhe përmirësimit të ekonomisë kineze, por edhe hap një “pistë të re” për investimet e huaja.

Duke marrë si shembull sektorin farmaceutik, plani paraqit masa për inkurajimin me vazhdimësi të hyrjes së barnave dhe pajisjeve mjekësore me cilësi të lartë në tregun kinez dhe lehtësimin për hyrjen e barnave të prodhuara nga sipërmarrjet me investime të huaja në kanalet e shitjes me pakicë. Një përfaqësues nga kompania britanike “AstraZeneca” u shpreh se, falë politikave farmaceutike të përmirësuara vazhdimisht nga Kina dhe forcimit të vazhdueshëm të aftësisë së zhvillimit, këtë vit kjo kompani ka siguruar miratimin për 11 barna të reja në Kinë deri më tani, ndër të cilat përfshihet një “publikim i parë global”. Liu Jiang, zv.presidenti dhe drejtori i përgjithshëm për rajonin e Kinës së Madhe të kompanisë amerikane “Revvity”, tha se masat e planit të veprimit do të zgjerojnë më tej biznesin e kompanisë dhe hapësirën për inovacion.

Investimet varen jo vetëm nga mjedisi i tregut, por edhe nga kushtet e përshtatshme. Plani fokusohet në shtimin e lehtësive për investimet e huaja dhe propozon një sërë masash për përmirësimin e sistemit të menaxhimit për blerjet nga investimet e huaja, përmirësimin e menaxhimit për qarkullimin ndërkufitar të të dhënave, promovimin e riinvestimit të kapitalit të huaj në Kinë dhe tërheqjen e sipërmarrjeve me investime të huaja të krijojnë qendra kërkimore në Kinë.

Për shembull, në shitjet në kuadër të programit të promovimit të konsumit në Kinë, markat e huaja të automobilave zunë mbi 35 %. Masat e reja do të zgjerojnë më tej pjesën e investimeve të huaja në tregun kinez.

Që nga fillimi i këtij viti, zyrtarë të sipërmarrjeve shumëkombëshe e kanë vizituar me radhë Kinën për të zgjeruar biznesin e tyre aty. Sipas një sondazhi të bërë kohët e fundit nga Këshilli i Biznesit ShBA-Kinë, rreth 3/4 e sipërmarrjeve amerikane të anketuara kanë investuar ose zhvilluar biznes në Kinë, dhe u shprehën që të ardhurat e tyre në Kinë ishin të qëndrueshme ose patën rritje në vitin fiskal 2025. Të dhënat e paplota tregojnë që po në vitin e kaluar, mbi 8 000 sipërmarrje të huaja i shtuan investimet e tyre në Kinë, me një rritje vjetore më shumë se 10 %. Në 5-mujorin e parë të këtij viti, gati 4 000 sipërmarrje të huaja i shtuan investimet në Kinë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër