Po kthehej nga Slovakia, qytetari i Strugës humbet pa gjurmë në Hungari

Nga Xh M
874 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Familja Matovski nga Struga prej më shumë se dy javësh po kërkon të afërmin e tyre Blagojçe Matovski (69), i cili është zhdukur gjatë rrugës nga Sllovakia drejt qytetit të tij të lindjes, Strugës.

Mbesa e tij, Zhullieta Matovska, në një deklaratë për gazetën Veçer thotë se familja ndodhet në dëshpërim, pasi përveç disa informacioneve nga Ambasada e Maqedonisë në Budapest, nuk kanë marrë asnjë të dhënë konkrete nga policia maqedonase, edhe pse zhdukja e tij është raportuar menjëherë.
Ndryshe nga autoritetet vendase, policia hungareze disa ditë më parë ka publikuar njoftim kërkimi për shtetasin maqedonas dhe ka informuar të gjitha pikat kufitare.

Sipas njoftimit të publikuar në faqen e policisë hungareze:

i zhdukuri ka të veshur xhaketë të zezë dhe xhinse,
ka flokë të thinjur,
ka dëmtim të rëndë të dëgjimit,
dhe flet vetëm maqedonisht.

Ankesa e familjes: Pak informacion nga institucionet

Mbesa e tij thotë se familja është përballur me vështirësi edhe për të marrë informacione nga institucionet.
“Kur telefonuam në zyrën e Interpolit në Shkup, fillimisht na pyetën: ‘Nga e gjetët numrin?’, ndërsa më pas na thanë se për rastin është kompetente policia në Strugë”, tregon ajo.

Udhëtimi që u ndërpre papritur

Historia e zhdukjes nisi në Sllovaki, ku 69-vjeçari kishte jetuar për shtatë vjet. Ai kishte vendosur të kthehej në Strugë dhe kishte blerë biletë autobusi për në Vjenë, nga ku planifikonte të merrte avion për në Ohër.

Por ai humbi autobusin dhe kaloi natën në stacion. Më pas vendosi të udhëtonte me tren nga qyteti Košice drejt Beogradit.

“Pikërisht këtu i humbim gjurmët për herë të parë. Telefoni i tij ishte i fikur dhe e dinim që karta bankare ishte e bllokuar. Më 26 shkurt e raportuam si të zhdukur në policinë e Strugës dhe kërkuam të informohej edhe Interpoli”, rrëfen mbesa e tij.

Gjurmë në Hungari

Pak ditë më vonë, një telefonatë nga policia sllovake i dha familjes një moment shprese. Blagojçe ishte identifikuar në një automjet pranë Budapestit, ku u kishte thënë policëve se po udhëtonte drejt Strugës.

Familja dyshon se ai mund të ketë udhëtuar me auto-stop, pasi nuk kishte para me vete.

“Ne i kishim thënë që sapo të arrinte në kufirin me Serbinë të na telefononte dhe do ta merrnim me makinë”, thotë Matovska.

Kontakti i fundit në një spital pranë Budapestit

Sipas informacioneve që familja mori nga Ambasada e Maqedonisë në Hungari, 69-vjeçari është parë për herë të fundit më 27 shkurt, në një spital pranë Budapestit.
Ai kishte shkuar atje për të kërkuar ndihmë që të karikonte baterinë e telefonit. Stafi i spitalit kishte njoftuar autoritetet dhe, për shkak se ai fliste vetëm maqedonisht, ishte kontaktuar ambasada.

Sipas ambasadës, ai ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe kishte kërkuar para për t’u kthyer në Maqedoni. Atij iu sugjerua të kontaktonte familjen dhe më pas u largua me qëllim që të vazhdonte drejt kufirit me Serbinë.

Kërkim në disa shtete

Autoritetet hungareze kanë njoftuar të gjitha shërbimet kufitare që, nëse e shohin personin, të informojnë menjëherë policinë.

Që nga 5 marsi, në kërkim të tij janë përfshirë edhe policia hungareze dhe Kryqi i Kuq. Deri tani nuk ka informacion për kalimin e tij në kufi dhe ai nuk është regjistruar në asnjë spital tjetër. Njoftimi i kërkimit është dërguar edhe në aeroportet e vendit.

Çfarë thotë policia maqedonase

Nga MPB për gazetën Veçer kanë deklaruar se Blagojçe është raportuar i zhdukur më 26 shkurt nga vëllai i tij.

“Pas marrjes së denoncimit, NJPB Strugë ka dërguar njoftim në Sektorin për Bashkëpunim Ndërkombëtar pranë MPB-së dhe është shpallur kërkim kombëtar. Më 1 mars 2026, nga Interpol Budapesti kemi marrë informacion se personi ndodhej në territorin hungarez”, thuhet në reagimin e policisë.

Familja me shpresë

Familja shpreson që 69-vjeçari të shfaqet së shpejti në derën e shtëpisë së tij në Strugë dhe apelon për ndihmë nga institucionet dhe qytetarët për ta gjetur.
Deri atëherë, ankthi për fatin e Blagojçe Matovskit vazhdon.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër