Policia e Shtetit thellon bashkëpunimin me BE në luftën kundër trafikimit të armëve të zjarrit

Nga D. V.
473 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Policia shqiptare forcon bashkëpunimin me partnerët evropianë, brenda platformës “EMPACT për Armët e Zjarrit”, e cila është një nga mekanizmat kryesorë të BE për adresimin e kërcënimeve serioze për sigurinë.

Ne kuadër te këtij bashkëpunimi, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda takoi përfaqësues të platformës “EMPACT” dhe të projektit “FORTIFY”.

Proda theksoi se Policia e Shtetit është shumë e angazhuar për të thelluar bashkëpunimin hetimor dhe atë operacional, me agjencitë ligjzbatuese dhe me partnerët, duke vënë në dispozicion kapacitetet më të mira profesionale dhe logjistike.

“Bashkëpunimi me shtetet partnere të Bashkimit Evropian dhe strukturat përkatëse evropiane, duke përfshirë bashkëpunimin e ngushtë me EUROPOL-in dhe mbështetjen strategjike dhe financiare të Komisioni Evropian, bazohet në besimin e ndërsjellë, shkëmbimin e informacionit në kohë reale, koordinimin e fortë operativ dhe forcimin e vazhdueshëm të kapaciteteve institucionale. Kjo qasje e integruar ka rritur ndjeshëm efektivitetin e reagimit të përbashkët kundër rrjeteve kriminale me rrezik të lartë”, u shpreh Proda.

Koordinatori i JAD SEE, Carlos del Moral falënderoi kreun e Policisë së Shtetit për pritjen dhe vlerësoi punën profesionale dhe angazhimin maksimal të ekipeve të Policisë së Shtetit, gjatë bashkëpunimeve operacionale. Gjithashtu, Moral siguroi për mbështetje dhe thellim të mëtejshëm të bashkëpunimit.

Policia e Shtetit ka një rol aktiv dhe të përgjegjshëm brenda kornizës së platformës “EMPACT për Armët e Zjarrit”, elementi i cili pasqyron angazhimin e saj për të qenë partnere e besueshme, proaktive dhe e orientuar drejt rezultateve në luftën kundër trafikimit të armëve të zjarrit dhe formave të tjera të krimit të organizuar ndërkombëtar.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër