Policia heton kërcënimet e reja në aeroportin e Kopenhagës, alarm për sigurinë ajrore në Evropë

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Kopenhagë, 6 nëntor, Zhurnal.mk – Policia daneze ka nisur hetimet pas kërcënimeve të reja me bomba të drejtuara ndaj trafikut ajror në aeroportin e Kopenhagës, në një kohë kur disa vende evropiane po përballen me një valë kërcënimesh të ngjashme, sipas Reuters.

Autoritetet deklaruan se nuk kishte shenja rreziku për pasagjerët, ndërsa aeroporti njoftoi se po funksiononte normalisht.

Redaksitë e televizionit bullgar “Nova TV” dhe transmetuesit publik irlandez RTE morën sot mesazhe elektronike me kërcënime për bomba nga një person që prezantohej si “Mikhail Andropov”. Mesazhet, të titulluara “Mesazh për Perëndimin”, paralajmëronin një seri sulmesh ndaj mjeteve të transportit në Evropë.

RTE evakuoi zyrat e saj, ndërsa edhe transmetuesi britanik “Sky” raportoi se kishte marrë një kërcënim sigurie.

Në Francë u raportuan katër kërcënime të reja ndaj avionëve që fluturonin mbi territorin e saj, ndërsa një avion i kompanisë “Wizz Air” në linjën Pragë-Romë, u devijua drejt Venecias.

Të gjithë avionët e përfshirë në incidentet e raportuara u ulën në mënyrë të sigurt dhe deri tani nuk është gjetur asnjë pajisje shpërthyese.

Situata kërkoi edhe ndërhyrjen e forcave ajrore hungareze.

Ministri i Mbrojtjes, Romulusz Ruszin-Szendi, deklaroi se avionë luftarakë shoqëruan në hapësirën ajrore të Hungarisë disa avionë pasagjerësh pas kërcënimeve për bomba.

Ai bëri të ditur gjithashtu se NATO kishte urdhëruar një patrullim ajror pranë kufirit hungarezo-rumun, duke shënuar përfshirjen e parë të raportuar të aleancës në këtë situatë.

Ekspertët e sigurisë vlerësojnë se kërcënimet kanë karakteristikat e një sulmi hibrid të koordinuar dhe të një lufte psikologjike.

Ministri i Jashtëm spanjoll, José Manuel Albares, tha se ngjashmëria e incidenteve në disa vende evropiane e bën të arsyeshme dyshimin për një fushatë të organizuar.

Disa zyrtarë evropianë i kanë lidhur këto zhvillime me mbështetjen e Evropës për Ukrainën, duke ngritur dyshime për përfshirje ruse, por Moska i ka mohuar akuzat.

Deri tani, asnjë shtet nuk ka përcaktuar zyrtarisht përgjegjësinë për kërcënimet.

artikuj të ndërlidhura