Shkup, 14 tetor, Zhurnal.mk – Policia Pyjore ka zbatuar aksione të intensifikuara kundër prerjes ilegale në mbarë vendin, me ç’rast gjatë shtatorit dhe në fillim të tetorit janë sekuestruar mbi 500 metra kub masë druri të prerë ilegalisht dhe janë paraqitur 140 kallëzime.
Përkohësisht janë konfiskuar 13 automjete transporti dhe 17 automjete udhëtarësh, nëntë traktorë, si dhe sharra motorike, rimorkio, sëpata dhe mjete të tjera të përdorura për prerje dhe transport të paligjshëm të druve.
Aksionet zhvillohen paralelisht me kontrollet e përditshme të rregullta, me vëmendje të veçantë në zonat ku veprojnë më dukshëm grupet e organizuara të prerësve të paligjshëm. Kontrollet janë të drejtuara edhe drejt suprimimit të furnizimit ilegal me dru për popullatën dhe kapacitetet prodhuese, me ç’rast shkaktohet dëm i konsiderueshëm ndaj fondit pyjor.
„Aksionet e intensifikuara do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme, në të gjithë territorin e shtetit. Mbrojtja e pyjeve është interes publik dhe përgjegjësi jonë institucionale. Policia Pyjore ka mbështetjen e plotë të Ministrisë për të vepruar vendosmërisht dhe në mënyrë konsekuente kundër prerjes, transportit dhe tregtisë së paligjshme me dru, në kuadër të autorizimeve ligjore“, porosit ministri i bujqësisë, pylltarisë dhe ujërave, Borçe Serafimovski.
Në prag të sezonit të ngrohjes, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave apelon tek qytetarët që të blejnë dru zjarri vetëm nga shitës dhe depo të licencuara. Me blerjen e druve nga burime legale kontribuohet aktivisht në parandalimin e tregtisë ilegale dhe në mbrojtjen e pyjeve.
Njëkohësisht, qytetarët ftohen të raportojnë dyshime për prerje, transport dhe shitje të paligjshme të druve tek Policia Pyjore dhe organet e tjera kompetente.
