Polonia nuk do të kontribuojë më në programin e NATO-s PURL, i cili koordinon fondet e vendeve aleate për blerjen e armëve të prodhuara në SHBA për Ukrainën. Lajmi u bë i ditur nga kryeministri polak, Donald Tusk, gjatë një konference për shtyp të premten.
Tusk deklaroi se vendimin ia kishte komunikuar edhe sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, duke theksuar se Varshava nuk do të japë për momentin kontribute financiare për këtë iniciativë.
“Për momentin nuk do të bëjmë donacione për iniciativën PURL – para evropiane për armë amerikane për Ukrainën”, deklaroi kryeministri polak.
Ai argumentoi se vendimi lidhet me situatën e vështirë financiare të vendit, i cili përballet me një deficit të madh buxhetor, ku një pjesë e konsiderueshme e shpenzimeve lidhet me financimin e mbrojtjes.

