Porsche nënshkruan kontratën 1.5 mld Euro me gjigantin indian

Nga Xh M
628 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Porsche ka nënshkruar një marrëveshje pesëvjeçare me vlerë 1.25 miliardë euro me gjigantin indian të teknologjisë Tata Consultancy Services (TCS), me fokus përdorimin në shkallë të gjerë të Inteligjencës Artificiale dhe transformimin dixhital të prodhuesit gjerman të makinave sportive.

Si pjesë e marrëveshjes, TCS do të blejë për 320 milionë euro kompaninë MHP, njësinë e konsulencës IT të Porsche, e cila ka rreth 4,500 punonjës.

Partneriteti synon të kombinojë ekspertizën e Porsche në industrinë automobilistike me kapacitetet e TCS në teknologji, software dhe Inteligjencë Artificiale.

Presidenti i Porsche, Michael Leiters, deklaroi se bashkëpunimi do të ndihmojë kompaninë të rrisë inovacionin, efikasitetin dhe konkurrueshmërinë në një industri ku automjetet po varen gjithnjë e më shumë nga të dhënat dhe software-i.

Marrëveshja do të hyjë në fuqi pasi TCS të përfundojë blerjen e MHP. Sipas drejtuesve të kompanisë indiane, objektivi është që Inteligjenca Artificiale të përdoret në shkallë industriale në të gjithë operacionet e Porsche.

Për TCS, marrëveshja përbën gjithashtu një hap të rëndësishëm për zgjerimin në tregun gjerman dhe forcimin e pranisë mes kompanive europiane të sektorëve industrialë dhe automobilistikë.

Kompania indiane ka siguruar gjatë këtij viti disa kontrata të mëdha të transformimit të bizneseve përmes Inteligjencës Artificiale. Të ardhurat vjetore të TCS të lidhura me AI arritën në 2.6 miliardë dollarë në tremujorin e përfunduar në qershor, me rritje 13.6% krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

Marrëveshja vjen në një periudhë kur kompanitë indiane të shërbimeve IT po përballen me presion nga zhvillimi i shpejtë i Inteligjencës Artificiale. Indeksi Nifty IT ka rënë me rreth 20% që nga fillimi i vitit.

Nga ana e Porsche, shitja e MHP është pjesë e strategjisë “Sportwagenschmiede 35”, përmes së cilës prodhuesi gjerman synon të përmirësojë përfitueshmërinë, fluksin e parasë dhe të thjeshtojë strukturën e operacioneve.

Porsche ka deklaruar se po përqendrohet gjithnjë e më shumë te aktivitetet bazë të biznesit, ndërsa reduktimi dhe racionalizimi i strukturave konsiderohen elementë kyç të strategjisë së re. /skyweb.al

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër