Presidentja Osmani në takim me ambasadoren e Kosta Rikës thekson rëndësinë e heqjes së vizave ndërmjet dy vendeve

Nga D. V.
417 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pranoi sot letrat kredenciale të ambasadores së re të Republikës së Kosta Rikës në Republikën e Kosovës, Olga M. Sauma Uribe.

Presidentja Osmani i uroi mirëseardhje ambasadores dhe e përgëzoi për emërimin, duke shprehur bindjen se mandati i ambasadores do të kontribuojë në thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet dy vendeve.

Presidentja shprehu mirënjohje për mbështetjen e hershme dhe parimore të Kosta Rikës për pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, duke theksuar potencialin për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh.

Ajo vuri në pah se Kosova i vlerëson lart marrëdhëniet miqësore me shtetet e Amerikës Latine dhe mbetet e përkushtuar për forcimin e bashkëpunimit me vendet e këtij rajoni në fusha me interes të ndërsjellë.

Në njoftim thuhet bëhet e ditur se në takim u diskutua për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në diplomaci, ekonomi dhe veçanërisht në turizëm.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e intensifikimit të bashkëpunimit për heqjen e ndërsjellë të vizave ndërmjet dy vendeve, si hap konkret drejt forcimit të bashkëpunimit midis qytetarëve, bizneseve, si dhe thellimit të marrëdhënieve dypalëshe.

Në përmbyllje, Presidentja Osmani riafirmoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për paqe dhe bashkëpunim ndërkombëtar, duke theksuar rëndësinë e partneritetit me Kosta Rikën dhe me shtetet e tjera të Amerikës Latine në avancimin e prioriteteve të përbashkëta për paqe, demokraci dhe zhvillim.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër