Prishtina sot shënon 27 vjetorin e çlirimit

Nga D. V.
1,346 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 11 qershor, Zhurnal.mk – Kryeqyteti i Kosovës Prishtina, sot do ta kremtojë 27-vjetorin e Ditës së Çlirimit me një sërë aktivitetesh përkujtimore, kulturore dhe sportive, të organizuara nga Komuna e Prishtinës.

Manifestimet synojnë të nderojnë dëshmorët e lirisë dhe të kujtojnë një nga datat më të rëndësishme në historinë e kryeqytetit.

Duke filluar nga ora 10:00, do të bëhen homazhe pranë Varrezave të Dëshmorëve në lagjen Velania, ku do të përkujtohet sakrifica e atyre që dhanë jetën për lirinë e vendit. Më pas, në orën 10:30, do të mbahen nderime pranë shtatores së heroit Zahir Pajaziti, në sheshin që mban emrin e tij.

Në orën 11:00, në Sallën e Kuvendit Komunal do të mbahet Seanca Solemne me rastin e Ditës së Çlirimit të Prishtinës, ku pritet të marrin pjesë përfaqësues institucionalë, veteranë të luftës dhe personalitete të jetës publike.

Një nga ngjarjet qendrore të ditës do të jetë Marshi i UÇK-së, i cili nis në orën 12:00 nga Sheshi “Zahir Pajaziti” dhe përfundon në Sheshin “Skënderbeu”. Marshi organizohet nga ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët do të parakalojnë të veshur me uniformat e UÇK-së.

Festimet do të vazhdojnë edhe gjatë mbrëmjes.

Në orën 18:00, në Stadiumin “Fadil Vokrri”, do të zhvillohet “Ndeshja e Yjeve – Miqtë e Futbollit”, një aktivitet sportiv që synon të promovojë frymën e bashkimit dhe festës qytetare.

Ndërkaq, nga ora 18:30 deri në 23:00, Sheshi “Skënderbeu” do të shndërrohet në qendrën kryesore të festimeve me një koncert festiv. Para qytetarëve do të performojnë Ansambli “Bajram Curri”, Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova”, grupet Zwada dhe Blla Blla Blla, si dhe një DJ, duke përmbyllur në atmosferë festive këtë ditë të veçantë për kryeqytetin.

Dita e Çlirimit të Prishtinës mbetet një simbol i sakrificës për liri, kujtesës historike dhe mirënjohjes ndaj atyre që kontribuuan në çlirimin e vendit, ndërsa shërben edhe si një moment bashkimi për qytetarët e të gjitha brezave.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër