Prokuroria e Sarandës vendos në sekuestro katin pa leje në tarracën e një hoteli

Nga D. V.
237 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 13 maj Zhurnal.mk – Prokuroria e Sarandës ka sekuestruar një kat të dyshuar si të ndërtuar pa leje mbi Hotel “Oasis” në qytetin bregdetar.

Në njoftimin e Prokurorisë së Sarandës, thuhet se u vendos masa ‘sekuestro preventive’ për sipërfaqen me përmasa 22,9 m x 13,4 m x 3,5 m, ndërtuar mbi tarracën e objektit ekzistues i emërtuar si Hotel “Oasis”, 6 kate, në lagjen nr. 1, Bashkia Sarandë, në emër të shtetasit Alqi Papa.

Sipas njoftimit, nga shqyrtimi i punimeve të konstatuara në terren, të cilat konsistojnë në ngritjen e strukturës metalike mbajtëse, realizimin e mbulimit dhe soletës me llamarine të valëzuar dhe shtrese betoni, ndarjen e ambienteve të brendshme, si dhe përfundimin e fasadës dhe vendosjen e vetratave, rezulton se është krijuar një volum i ri ndërtimor funksional mbi objektin ekzistues.

“Veprimet ndërtimore rezultojnë të jenë kryer në mënyrë graduale, të paktën nga periudha para datës 12.05.2025 dhe në vijim deri më 31.03.2026, datë në të cilën gjatë inspektimit të ekspertit u konstatua se objekti kishte arritur fazë të avancuar përfundimi, përfshirë fasadën e jashtme dhe vetratat në pjesën ballore”, vijon njoftimi.

“Pavarësisht se pasuria është e regjistruar si truall në certifikatën e pronësisë, bazuar në vendimin e legalizimit rezulton se objekti ekzistues është i tipit social-ekonomik (shërbim), dhe si i tillë, edhe punimet e konstatuara lidhen funksionalisht me këtë destinacion, duke konsumuar elementët e veprës penale “Ndërtim i paligjshëm”, për qëllime fitimi”, cilësohet në njoftim.

Prokuroria e Sarandës njofton se u vendos masa e sigurimit pasuror “Sekuestro preventive”, parashikuar nga neni 274 i Kodit të Procedurës Penale, për sipërfaqen ndërtimore me përmasa 22,9 m x 13,4 m x 3,5 m, të dyshuar si e ndërtuar pa lejen e organeve kompetente.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër