Shkup, 18 shtator Zhurnal.mk – Prokurori Publik Nenad Saveski sot zhvilloi takim me ekipin e ekspertëve të Akademisë për Zhvillim të Sllovenisë, në përbërje të së cilit ishin Andreja Dolniçar Jeraj, drejtoreshë programore dhe ekzekutive, Jože Levašič, prokuror i lartë shtetëror në Republikën e Sllovenisë, dr. Tatjana Dragoviq, eksperte për të mësuarit e të rriturve dhe zhvillimin e kompetencave profesionale në drejtësi dhe organet e zbatimit të ligjit, si dhe Damjana Slapar Burkat, eksperte për zbatimin e metodave për përcaktimin e gjendjes pasurore në hetimet financiare.
Në takim u shqyrtuan mundësitë për bashkëpunimin e ardhshëm ndërmjet Akademisë për Zhvillim të Sllovenisë dhe Prokurorisë Publike të Maqedonisë së Veriut, me fokus në nevojat më të gjera të shërbimit prokurorial dhe institucioneve të tjera kompetente, në kuadër të proceseve reformuese për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Vëmendje e veçantë iu kushtua prioriteteve si hetimet financiare dhe konfiskimi i pasurisë së përfituar përmes veprës penale, inteligjenca artificiale, delikuenca e të miturve dhe trafikimi i fëmijëve.
