Tiranë, 16 prill Zhurnal.mk – Gazetari Arbër Hitaj ka komentuar në studion e Quo Vadis situatën politike në vend dhe aksionin opozitar.
Sipas Hitajt, sjellja e opozitës është pozitive pasi po merr pjesë në të gjitha aksionet opozitare. Ndërsa theksoi se në Shqipëri nuk mund të ndodhë ajo që u bë në Hungari, pasi këtu nuk ka një antipod, dikush që të mund të valëvisë flamurin e antikorrupsionit.
Pjesë nga biseda:
Hitaj: Unë shikoj një aksion pozitiv te opozita, është në komisionet parlamentare.
Muka: Këtu nuk ka parlamentarizëm, këtu janë shtyrë tre interpelanca.
Hitaj: Çfarë faji ka opozita këtu?
Muka: Këtu nuk ka parlamentarizëm.
Hitaj: Nuk është diskutim ky.
Muka: Po çfarë është?
Hitaj: Opozita atje ku ka zërin e saj është. Ajo është te reforma territoriale, është te reforma zgjedhore, po jep versionet e saj. Unë jam kritik me pjesën që kryeministri nuk del të japë llogari. Pjesa e protestës është shumë gjë e mirë, ka njëlloj motivimi edhe te pjesa e strukturave. Ndoshta kanë frikë se nuk zgjidhen më, ndoshta një presion pozitiv i zotit Berisha ndaj tyre. Ai po motivon strukturat për betejën e madhe për 2027.
Borakaj: Kështu do i mbajë?
Hitaj: Pjesa e dytë e diskutimit është ajo që vjen nga Hungaria. Atje kishim të bënim me një të brendshëm që doli i jashtëm. Karta kryesore e Peter Magyar është antikorrupsioni.
Borakaj: Mund të dalë dikush sot nga mazhoranca?
Hitaj: Po, edhe mund të dalë. Por në Hungari i hapën terren të gjithë Magyarit, ndërsa në Shqipëri, po doli dikush, i pari që i del kundër është opozita, siç bëri me Shehajn dhe me Lapajn. Pra nuk janë kushtet. Të dalësh me kartën e antikorrupsionit nuk ka të bëjë me atë që ti thua, por me atë që ti përfaqëson. Nëse një zyrtar ka qenë në qeveri para 20 vitesh, nuk mund të marrë vota jashtë oborrit. Për të shkuarën në nivelin tjetër, ti duhet të vësh njerëz të pastër. Këta që janë në SPAK janë nga denoncimet e njëri-tjetrit. Duhet një grup i ri në PD që të jetë sa më konkurrues. Për mua, pjesa më e rëndësishme do të jenë zgjedhjet e ardhshme. Do shihet nëse do forcohet krahu radikal apo do të ketë frymë hapjeje. Nëse zoti Berisha do të ndryshojë 70% të pjesës që ka të bëjë me Këshillin Kombëtar, do të duket tendenca që do të ketë. Nëse do e ketë 60 me 40, pra nëse nuk do ketë hapje, ai qartazi do të shkojë drejt grupit radikal.
