Shkup, 25 tetor Zhurnal.mk – Nga Shqipëria, në Evropë e deri në vende të ndryshme të botës, protestat e të rinjve dhe studentëve po marrin përmasa gjithnjë e më të gjera. Në qendër të revoltave qëndrojnë kërkesat për ndryshime shoqërore, mundësi të barabarta dhe një perspektivë më të sigurt për të ardhmen.
Sipas sociologëve, kjo valë pakënaqësish është edhe pasqyrim i krizës së besimit ndaj institucioneve, mungesës së meritokracisë dhe pengesave me të cilat përballen gjeneratat e reja.
“Protestat e fundit që ndodhen në Shqipëri, në Francë dhe në shumë vende të tjera të botës, e vërtetojnë edhe njëherë tezën se rinia janë forca motorike e zhvillimit dhe e dinamizmit të çdo shoqërie dhe ata janë detektuesit më të mirë të devijimeve sociale. Pra, kur shoqëria e humb toruan, shteti e humb toruan dhe nuk ofron perspektivë, nuk ofron ardhmëri, kur vlerat nëpërkëmben dhe nuk kemi meritokraci të mirëfilltë, ata nuk shohin se mund të vetrealizohen në një mjedis të tillë ku ashensori social nuk funksionon ashtu siç duhet” – tha profesori universitar, Ali Pajaziti.
Përtej pakënaqësive ekonomike dhe sociale, protestat nxjerrin në pah edhe një hendek gjithnjë e më të thellë ndërmjet gjeneratave të reja dhe politikës tradicionale.
Sipas profesor Pajazitit, riciklimi i figurave politike dhe mungesa e alternativave të reja po e zbehin besimin e të rinjve te partitë.
“Ne shohim riciklim të disa figurave të cilat në një ose në atë mënyrë sërish i kthehen politikës, dhe janë bërë të bezdisshëm edhe me narrativën e tyre. Pra nuk janë forcë e cila është tërheqëse dhe që jep optimizëm. Përkundrazi, kjo shkakton deprimim tek popullata juvenile, e cila kërkon figura të reja e jo një generotokraci permanente, infinit, deri në pafundësi” – deklaroi profesori universitar, Ali Pajaziti.
Në këtë realitet, sipas sociologut Pajaziti edhe rrjetet sociale po marrin një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në organizimin dhe përhapjen e protestave.
Ato u mundësojnë të rinjve të mobilizohen jashtë strukturave tradicionale politike, duke shndërruar pakënaqësitë individuale në lëvizje masive.
