Protestë para Kuvendit kundër hartës së re territoriale

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 05 tetor, Zhurnal.mk – Qytetarë dhe përfaqësues të disa bashkive u mblodhën sot para Kryesisë së Kuvendit për të protestuar kundër projektligjit të propozuar nga Partia Socialiste “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.

Protesta po zhvillohet në një kohë kur në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike po diskutohet dhe pritet miratimi në parim i projektligjit të propozuar nga PS.

Protestuesit, të ardhur nga bashki të ndryshme të vendit kundërshtojnë ndryshimet e propozuara dhe kanë kërkuar që zëri i tyre të merret në konsideratë përpara marrjes së çdo vendimi.

“Fushë-Arrëzi nuk dorëzohet”, “Mos e prekni Selenicën”, “Mos na merrni zërin, dëgjoni qytetarët” dhe “Identiteti ynë nuk negociohet” ishin disa nga mesazhet e shkruara në pankartat e protestuesve.

Qytetarët kërkojnë që vendimmarrja për të ardhmen administrative të bashkive të bëhet duke marrë në konsideratë identitetin, interesat dhe vullnetin e komuniteteve lokale.

Projektligji i PS-së parashikon reduktimin e bashkive në vend nga 61 në 46, përmes shkrirjes së 15 bashkive.

Sipas draftit, 33 bashki do të mbeten të pandryshuara, ndërsa 28 të tjera do të preken nga ndryshimet administrative.

Bashkitë që do shkrihen janë bashkia e Fushë-Arrëzit, Klosi, Rrogozhina, Dimali, Poliçani, Patosi, Divjaka, Selenica, Maliqi, Këlcyra, Memaliaj, Libohova, Cërriku, Belshi dhe Përrenjasi.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër