Protestë para “USJE-s”, kërkohet dislokimi i çimentores! Fabrika mohon se është ndotëse

Nga B.M
482 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 22 janar – Me “kartonë të verdhë” u protestua mbrëmë para çimentores USJE në Shkup.

Këta qytetarë pretendojnë se fabrika është ndotëse dhe po dëmton shëndetin e shkupjanëve.

Ata nuk u besojnë matësve të fabrikës USJE, duke theksuar se asnjë ndotës nuk mund të pranojë vetë se sa ndot.

Nëse fabrika nuk dislokohet, nuk vendoset monitorim 24-orësh dhe nuk ka reagim institucional, protestuesit paralajmëruan se do të radikalizojnë protestat. Kërkesat e tyre janë dërguar në mbi dhjetë institucione, duke kërkuar reagim të shpejtë.

-Saktë para 6 vitesh, së bashku me një grup qytetarësh aktivistë, për herë të parë bllokuam USJE-n. Edhe atëherë duhej t’i jepnim karton të verdhë, tani meritojnë karton të kuq.

-Çimentorja duhet të dislokohet menjëherë, menjëherë larg nga këtu.

Nga çimentorja USJE mohojnë akuzat. Thonë se gjatë periudhës së fundit nuk kanë punuar dy furrat, megjithatë ajri ka qenë i ndotur, gjë që sipas tyre tregon se ata nuk janë shkaktarët kryesorë të ndotjes.

 “TITAN – USJE”:

“Edhe pse TITAN Usje nuk ka funksionuar plotësisht, të premten më 16.01 niveli më i lartë i grimcave PM10 arriti 275 mikrogram për metër kub, të shtunën (17.01.2026) – 250, të dielën (18.01.2026) – 143, të hënën (19.01.2026) – 190 dhe të martën (20.01.2026) – 221 mikrogram për metër kub. Kjo situatë përsëritet çdo vit. Qëndrojmë të hapur për dialog konstruktiv me të gjithë partnerët relevantë për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme në interes të të gjithëve”

Pas kërkesave të shumta për dislokimin e fabrikës dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit, Qyteti i Shkupit ka mbështetur iniciativën për zhvendosjen e fabrikës jashtë zonës urbane, megjithatë vendimi final mbetet në dorën e Qeverisë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër