Tiranë, 27 korrik, Zhurnal.mk – Partia Socialiste kërkoi sot përjashtimin me 60 ditë nga Kuvenditë deputetit Agron Shehaj, pasi mori me forcë marrëveshjen konfidenciale me SHBA-në, në kundërshtim me ligjin.
Përveç përjashtimit, PS kërkon edhe referimin e çështjes në SPAK përvetësimi ose marrja e paligjshme e informacionit të klasifikuar përbën vepër penale.
“Deputeti Agron Shehaj u paraqit në sallën “Gerti Bogdani” dhe në shkelje të ligjit insistoi ta merrte kopjen fizike me vete. Stafi i Kuvendit e sqaroi se, në zbatim të ligjit materiali mund të lexohej vetëm brenda sallës dhe kopja nuk lejohej të dilte prej sallës. Deputeti nuk pranoi këtë sqarim ligjor, e grabiti me forcë materialin dhe u largua bashkë më të. Këshilltarja e ndoqi deputetin dhe në përpjekje për ta ndaluar dhe ta rimarrë dokumentin, u rrëzua nga shkallët dhe pësoi lëndime të rënda, siç vërtetohet dhe nga pamjet video bashkangjitur kësaj kërkese”, thuhet në kërkesën e depozituar nga PS.
Sipas PS-së, Shehaj ka kryer veprat penale të përvetësimit ose marrjes së paligjshme të informacionit të klasifikuar, duke qenë se dokumenti përmban informacion që mbrohet me ligj; vjedhjes ose forma të tjera të përvetësimit të paligjshëm, për shkak të mënyrës së marrjes; grabitjes sepse dokumenti është marrë me përdorim force ose kërcënimi ndaj personit që e mbante; pengimin e detyrës së funksionarit publik sepse forca është ushtruar ndaj një punonjësi publik gjatë ushtrimit të detyrës.
“Dokumenti lidhet me sekretin shtetëror dhe në këtë rast mund të verifikohen edhe dispozita të posaçme për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, të cilat parashikojnë vepra më të rënda penale, sidomos kur veprimi cenon sigurinë kombëtare dhe personi i dyshuar mund të ketë synuar dorëzimin e këtij materiali aktorëve të tjerë, të paidentifikuar nga ne, por që duhet të hetohen nga prokurorët”, thuhet në kërkesën e PS-së.
