Punimet akademike me para ose AI, Bajrami: Kjo dukuri po e dëmton arsimin

Nga Xh M
1,194 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 7 mars – Përgatitja e punimeve shkollore dhe atyre akademike duket se nuk ka qenë kurrë më e lehtë se sot. Me vetëm një kërkim të thjeshtë, në rrjetet sociale dalin dhjetëra faqe që ofrojnë punime të ndryshme akademike duke filluar nga esetë e deri te punimet shkencore, madje me çmime të pranueshme. Nga komunikimi me disa prej tyre, mësuam se kostoja e një punimi varion nga rreth 800 denarë deri në 150 euro, në varësi të llojit të punimit dhe nivelit akademik.

Përveç blerjes së këtyre punimeve, mjetet e inteligjencës artificiale e kanë bërë gjithmonë e më të lehtë përgatitjen e materialeve që duken të përpiluara mirë, por që nuk janë mund real i studentit. Aplikacionet si ChatGPT, Jenni AI, Thesis AI, Paperpal dhe të tjera, gjejnë pafund informacione dhe tekste në vetëm pak sekonda.

Ekspertët e arsimit vlerësojnë se kjo dukuri po e dëmton rëndë cilësinë e shkollimit. Sipas profesorit, Demush Bajrami ky proces po e kthen arsimin në një treg ku nota blihet me para, duke krijuar profesionistë të nesërm që nuk dinë të mendojnë në mënyrë të pavarur apo të zgjidhin probleme reale.

“Ne do të shohim a është në gjendje studenti këtë që e ka bë ta shpjegoj me gojë. IA përdor zakonisht fjalët të cilat i ka përdor, jo vetëm tani por edhe në detyrat paraprake që i ka bë, sidomos detyrat në klasë. Pastaj a ka ndonjë pjesë që nuk kuptohet, pra vet studenti nuk e kupton plotësisht pavarësisht asaj që studenti e ka shkruar atë. Pra, unë nuk them se nuk duhet përdor intelegjenca, intelegjenca duhet përdoret sidomos kur kemi të bëjmë me nxitjen ose krijimin, ose një lloj pasqyre rreth asaj idesë fillestare për punimin ose kërkimin e vet që do ta bëj një student…Shpesh herë gjuha, stili ec drejt disa përkufizimeve standarde, pa shembuj konkret lokal, pa një analizë personale të cilën duhet dhe është mirë ta bëj vetë studenti”, deklaroi Demush Bajrami, profesor universitar.

Studentët që anketuam thonë se inteligjencën artificiale e përdorin kryesisht për të lehtësuar punën. Disa prej tyre tregojnë se e përdorin për të gjetur burime, për të marrë udhëzime apo për të përgatitur prezantime, por theksojnë se nuk mjafton për ta realizuar të gjithë punimin.

“Deri diku po, e përdor, për shembull, për të më dhënë burime që të mos shkoj në biblioteka dhe të kërkoj libra”, tha një student.

“E shfrytëzoj për prezantime, për disa informacione që nuk janë në internet”, u shpreh një studente.

“Ndihmon, por ne nuk e marrim si të rëndësishme, bazohemi më shumë në materialet që na japin në lëndë. Derisa ta ndiej vetë, nuk do të paguaja për asnjë përgatitje të një punimi seminarik”, tha një tjetër student.

“Më mirë mësohet nëse më shumë punon vet”, u përgjigj një student.

Për momentin, nuk ka mekanizma që definojnë saktë nëse një punim akademik dhe shkollor është i punuar nga mjete të inteligjencës artificiale ose jo.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër