Qefalia: Në tre vitet e fundit janë regjistruar rreth 23 incidente në gjykata

nga D. V.

Në komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale u zhvillua sot seancë dëgjimore lidhur me sigurinë në gjykata me përfaqësues të ministrisë së Drejtësisë dhe ministrisë së Brendshme.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Tedi Dobi, deklaroi se “po përfshihen në një koncept të gjerë konsultimi dhe kërkohet gjetja e zgjidhjeve që adresojnë situata të shumëfishta në qytete të ndryshme”.

Sipas tij, puna ka nisur mbi bazën e të dhënave statistikore dhe analizës së nevojave konkrete. Një nga rastet prioritare mbetet Gjykata e Lezhës, ku tashmë kanë filluar diskutimet me pushtetin vendor për alternativa konkrete.

“Në rastin e gjykatës së Lezhës, që është parë si një nga rastet prioritare, ka filluar diskutimi me përfaqësuesit e pushtetit vendor për të gjetur toka apo ambiente të përshtatshme, në disa raste edhe ristrukturimin e tyre”, tha ai.

Dobi theksoi gjithashtu se po shqyrtohen modele të suksesshme nga vendet partnere, duke përmendur Francën si një shembull konkret.

“Ka eksperienca shumë të suksesshme, si rasti i Francës, ku në vend të shumë gjykatave të ndara është ndërtuar një kampus gjyqësor. Ne jemi të hapur edhe për ndryshime ligjore dhe punojmë ngushtësisht me të gjithë aktorët”, tha Dobi.

Nga ana tjetër, zëvendësministri i Brendshëm, Xhemal Qefalia foli për organizimin e sigurisë në gjykata, duke theksuar rolin e Këshillit të Lartë Gjyqësor.

“Mënyra e organizimit të ruajtjes së institucioneve të sistemit të drejtësisë bëhet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe siguria në gjykata është e gërshetuar edhe me prezencën e Policisë së Shtetit. Në këtë strukturë përfshihen edhe punonjësit e sigurisë që janë në juridiksion të gjykatave dhe prokurorive”, tha Qefalia.

Qefalia ndal edhe te roli i shoqërisë “Illyrian Guard”, duke e konsideruar atë si një mundësi shtesë për forcimin e sigurisë dhe për punonjësit e policisë që përfundojnë shërbimin.

“Krijimi i shoqërisë Illyrian Guard është një mundësi jo vetëm për ruajtjen e objekteve, por edhe për punonjësit e policisë që mbushin afatin kohor të qëndrimit në detyrë. Kjo duhet të gërshetohet me të gjitha hallkat që merren me sigurinë në gjykata”, u shpreh ai.

Sipas Qefalisë, në tre vitet e fundit janë regjistruar rreth 23 incidente në gjykata, ku ka qenë e nevojshme ndërhyrja e Policisë së Shtetit.

Qefalia shtoi se janë të hapur për të bashkëpunuar me KLGJ-në për organizimin e përgjithshëm të sigurisë.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More