Daka, 27 maj, Zhurnal.mk – Mbi 500 fëmijë me raste të dyshuara dhe të konfirmuara të fruthit kanë vdekur në Bangladesh që nga muaji mars, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së vendit.
Sipas burimeve, në Bangladesh është raportuar një rritje e madhe e rasteve të fruthit, me mbi 60,000 raste të dyshuara dhe të konfirmuara brenda pak më shumë se dy muajve dhe mbi 500 vdekje fëmijësh që nga muaji mars, sipas autoriteteve shëndetësore, raportoi BBC.
Sëmundja ka prekur veçanërisht fëmijët nën moshën 5 vjeç, duke shkaktuar komplikacione të rënda dhe vdekje, në një kontekst ku shumë fëmijë nuk kanë marrë vaksinën e plotë për shkak të mungesave, vonesave në furnizim dhe ndërprerjeve të shërbimeve shëndetësore.
Autoritetet dhe organizatat ndërkombëtare, përfshirë UNICEF, raportojnë se sistemi shëndetësor është i mbingarkuar, ndërsa në disa zona ka pasur vështirësi në izolimin dhe trajtimin e rasteve.
Faktorë të tjerë të rrezikut, përfshijnë dendësinë e lartë të popullsisë, lëvizjet e mëdha të njerëzve dhe boshllëqet në vaksinim që janë krijuar edhe gjatë pandemisë së COVID-19.
UNICEF ka paralajmëruar se vonesat në prokurimin e vaksinave, kanë kontribuar në përkeqësimin e situatës, ndërsa autoritetet vendase e kanë mohuar ndryshimin e procedurave të furnizimit me vaksina.
Qeveria ka nisur një fushatë emergjente vaksinimi, me mbështetjen e organizatave ndërkombëtare, dhe pritet që ndikimi i saj të bëhet më i dukshëm në javët në vijim, megjithëse situata mbetet shqetësuese për shkak të rrezikut të përhapjes së mëtejshme.
