Antalia, 8 shtator ZHurnal.mk – Në provincën turke Antalia, në bregun e Mesdheut në pjesën jugore të vendit, zjarrfikësit po luftojnë me një zjarr të madh pyjor që detyroi qindra njerëz të evakuohen, ndërsa të paktën dy persona janë lënduar.
Zjarri shpërtheu dje natën në Aksu, një zonë e qytetit të Antalias, ndërsa era e fortë e përhapi atë drejt zonës fqinje të Kepezit, transmeton AP.
Dy persona janë hospitalizuar me lëndime në këmbë, ndërsa gjashtë të tjerë kanë marrë ndihmë në vend për shkak të thithjes së tymit. Janë evakuuar banorë nga të paktën 254 shtëpi në zonat Aksu dhe Kepez.
Përkohësisht u mbyll edhe autostrada që lidh Antalian me Ispartën, një qytet rreth 130 kilometra në veri.
Autoritetet e qytetit të Antalias konfirmuan se më shumë se 100 qen u zhvendosën në siguri nga një strehë në Aksu, pasi ishin të rrezikuar nga flakët dhe tymi i dendur.
Më shumë se 2.000 familje në rajon mbetën pa energji elektrike, njofton agjencia Anadolu.
Në shuarjen e zjarrit janë përfshirë të paktën pesë aeroplanë zjarrfikës, 10 helikopterë, 110 mjete zjarrfikëse dhe 600 pjesëtarë të shërbimeve.
Në të njëjtën kohë, ekipe zjarrfikëse po luftojnë me zjarre edhe në provincat fqinje Adana dhe Mersin.
