Qytetari i ndërhyn Dardan Molliqajt: A po lufton kundër pushtetit apo opozitës?

Nga D. V.
89 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 13 maj Zhurnal.mk – Kreu i Partisë Socialdemokrate Dardan Molliqaj, ka mbajtur të mërkurën një konferencë për media pas aksionit simbolik të PSD-së në sheshin “Nëna Terezë”, ku foli për rolin e opozitës dhe kritikat ndaj partive opozitare në vend, raporton Ekonomia Online.

Gjatë konferencës pati edhe ndërhyrje nga një qytetar, i cili e pyeti drejtpërdrejt se kundër kujt po vepron PSD-ja – pushtetit apo opozitës.

“Ti a po lufton kundër pushtetit apo kundër opozitës?”, pyeti ai.

Molliqaj u shpreh se, kur ai ishte pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri në detyrë Albin Kurti kishte 26 për qind të mbështetjes, ndërsa, sipas tij, opozita e ka dyfishuar këtë përkrahje.

“Jo, po qe po ta thashë, po të tregoj. Nëse e ke problem qeverisjen e vendit, duhet me pasë opozitë. Nëse s’e ke problem, atëherë jemi në rregull. Ama këta e kanë rritur Kurtin. Se po më thonë mua kaq njerëz qytetarë [se unë e rrita]… me të drejtë, unë kam ndihmuar dhe kam kontribuar atje. Ama unë e kam lënë Kurtin 26%. Këta e kanë prurë 51%. Dyfishim! Prandaj unë besoj që opozita është e rëndësishme me qenë përnime. Le të bëhen opozitë përnime dhe bashkëpunojmë. Ama qishtu siç i shërbejnë atij dhe të tjerëve, nuk bën”, u shpreh Molliqaj.

Ndërsa, i pyetur nga gazetarët se cili do të jetë ndryshimi i PSD-së nga partitë e tjera opozitare nëse siguron ulëse në Kuvend, ai tha se partia e tij do të jetë prezente në seanca dhe do të reagojë varësisht nga çështjet që trajtohen.

“Varësisht nga problemi. Pra, ne besojmë që reagimi nuk është as shabllon, as i paramenduar. Varësisht çka ndodh, varësisht sa problem është, edhe kundër reagimi ynë. Ajo që është e qartë: ne nuk jemi opozitë që flet dhe ne nuk jemi opozitë që kur në Kuvend votohet ose diskutohet për çështje të rëndësishme, të dalim jashtë Kuvendit e të bëjmë selfie dhe të ankohemi”, u shpreh tutje ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër