Shkup, 6 shkurt – Projekti “Qyteti i sigurt” po prezantohet si triumf i teknologjisë mbi kaosin e trafikut, si garanci për rend dhe ulje të aksidenteve. Por realiteti në terren po dëshmon diçka tjetër një zbatim mekanik të ligjit që pa filtra socialë po prodhon padrejtësi të reja veçanërisht ndaj komuniteteve më të margjinalizuara, si ai rom. Këto të fundit pakënaqësinë e tyre e manifestuan me protesta masive, por të pakënaqur janë edhe shqiptarët e maqedonasit, shkruan Zhurnal.
Çfarë i nxjerri në rrugë qytetarët për të protestuar kundër Safe City?
Konfiskimi i veturave dhe ndalesat për drejtim pa leje janë masa legjitime në një shtet ligjor. Askush nuk e konteston nevojën për siguri rrugore. Por problemi fillon aty ku ligji zbatohet njësoj për ata që e shkelin me vetëdije dhe luks, dhe për ata që e shkelin nga nevoja për mbijetesë ekonomike. Për një pjesë të komunitetit rom, vetura nuk është simbol komoditeti, por mjet pune për grumbullim lëndësh të para, tregti të vogël, apo punë ditore informale.
Në këtë kontekst, reagimi i ish-ministrit të Drejtësisë, Krenar Lloga, hap një debat të domosdoshëm. Ai nuk kërkon amnisti, as përjashtim nga ligji, por diçka shumë më racionale ndërhyrje sociale paralelisht me ndëshkimin. Propozimi që shteti ose komunat të financojnë pajisjen me patentë shoferi për pjesëtarët e komunitetit rom është një ide e thjeshtë, e realizueshme dhe mbi të gjitha njerëzore.
Statistikat e MPB-së tregojnë një panoramë alarmante ku mbi 55 mijë qytetarë me të paktën një ndalesë për drejtim mjeti, qindra me katër apo pesë ndalesa, madje edhe raste ekstreme me dhjetëra shkelje. Por këto shifra nuk flasin vetë ato nuk dallojnë mes recidivistëve të rrezikshëm dhe qytetarëve të varfër që nuk kanë pasur asnjëherë mundësi reale të pajisen me dokumentacionin e nevojshëm.
Sistemi “Safe City” nuk njeh kontekst social. Kamera nuk e sheh varfërinë, algoritmi nuk e llogarit diskriminimin historik, dhe databaza nuk pyet pse dikush vozit pa leje. Por shteti duhet ta bëjë këtë dallim. Përndryshe, “qyteti i sigurt” rrezikon të shndërrohet në qytet selektiv, ku siguria ndërtohet mbi përjashtimin e më të dobëtëve.
Nëse konfiskimi i veturës e lë një familje pa bukë, atëherë masa nuk është vetëm ndëshkuese, por edhe sociale dhe shpeshherë destruktive. Ligji, kur zbatohet pa politika shoqëruese, pushon së qeni instrument drejtësie dhe shndërrohet në mjet presioni ndaj atyre që kanë më pak.
Premtimet për integrimin e komunitetit rom kanë qenë refren elektoral për vite me radhë. Tani ekziston një rast konkret për t’i kthyer ato në veprim. Financimi i patentave të shoferit nuk është luks buxhetor, por investim në formalizim, siguri dhe dinjitet. Është shumë më lirë për shtetin të paguajë një patentë sesa të menaxhojë pasoja sociale të varfërisë së thelluar.
Siguria rrugore dhe drejtësia sociale nuk janë në luftë. Ato duhet të ecin bashkë nëse “Qyteti i sigurt” synon vërtet të jetë i tillë për të gjithë, atëherë duhet të fillojë duke e parë qytetarin jo vetëm si shkelës potencial, por edhe si qenie sociale me rrethana reale jetese. Përndryshe, do të kemi rrugë më të kontrolluara, por shoqëri më të padrejtë dhe kjo gjë natyrisht që nuk do t’i shërbej askujt sepse në fund të fundit revolta plasë dhe nuk ka gjë që mund ta ndalë. /Zhurnal.mk

