“TVSH 6% për 54 ushqime, por rritet në 21% për produktet e tjera”, ekspertët: Rrezikohet biznesi

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Pas dekadash në fuqi, qeveria propozon uljen e TVSH-së për 54 produkte ushqimore nga 20% në 6%, një reduktim i tillë duhet të reflektohet në ulje të çmimeve. Nga ana tjetër qeveria synon të rritë TVSH-në e përgjithshme nga 20% në 21%, që automatikisht shtrenjton produktet e tjera. Për paketën fiskale, edhe pse vlerësohet pozitivisht reduktimi i barrës për ushqimet, kritika kanë për mungesën e konsultimeve.“E para kjo paketë nuk ka pasur konsultim.

Nuk janë marrë në konsideratë kërkesat tona. Kundërshtimi kryesor përtej 21% TVSH, kundërshtojmë fortë dividendin, çdo barrë që ti shton nuk mund të dyfishohet. Kush është mbështetja që po i jep biznesit për tu bërë një vlerë e shtuar”, thotë kreu i ProEksport Albania Edvin Prençe.

Kurse eksperti për çështjet fiskale Eduart Gjokutaj thotë se për të ulur çmimet duhet të bëhet edhe një analizë për kostot, nuk mjafton vetëm ulja e TVSH-së.“Çmimet nuk vendosen nga norma e TVSH-së ajo është e fundit që caktohet.

Varet nga çmimi i blerjes, kostot e transportit, nga energjia ku përdoret më shumë apo më pak, nga financimi që merr, nga konkurrenca. Pasi analizohen këto, vendoset edhe norma e TVSH-së. Nga analizat tona çmimet mund të ulen me maksimumi 7-8%, por po rëndohet shumë biznesi me rritjen e taksave të tjera”, thotë Gjokutaj.

Ndërsa uljen e pragut të tatueshëm për bizneset nga xhiro mbi 10 milionë lekë në xhiro mbi 5 milionë lekë, ekspertët thonë se mund të nxisë evazioni.“Bëhet ligji, gjendet hilja. Do të ketë më shumë NIPT-e që do të hapen, bizneset do copëzohen që ti shpëtojnë TVSH”, thotë Prençe.

artikuj të ndërlidhura