Rama: 20 shkolla në Tiranë pajisen me kamera inteligjente për rritjen e sigurisë, zotim i mbajtur

Nga D V
582 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 31 gusht, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama bëri sot të ditur ditur se 20 shkolla në Tiranë janë pajisur me kamera inteligjente, në kuadër të projektit Smart City, për forcimin e sigurisë në institucionet arsimore.

Rama tha se vendimi për investimin në teknologji të reja për rritjen e sigurisë erdhi pas një ngjarjeje tragjike të ndodhur pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë, ku u vra me thikë një 14-vjeçar.

Sipas tij sistemet ekzistuese të kamerave nuk ndihmuan mjaftueshëm në zbardhjen e dinamikës së ngjarjes.

Rana shtoi se sistemet e reja mund të sinjalizojnë në kohë reale drejtuesit e shkollave, punonjësit e sigurisë dhe Policinë e Shtetit, me synimin për të mundësuar reagim më të shpejtë ndaj situatave të rrezikshme.

“Kur një tragjedi e tmerrshme në një shkollë të Tiranës mbajti frymën e mbarë Shqipërisë, kamerat nuk na ndihmuan dot mjaftueshëm për të kuptuar dinamikën e asaj ngjarjeje. Atëherë unë bëra një zotim; do të sjellim Shqipërinë në nivelin më të lartë të teknologjisë për të forcuar si asnjëherë më parë sigurinë në shkolla.

“Sot, ky zotim ka nisur të bëhet realitet. Kemi në Tiranë 20 shkollat e para të pajisura me kamera inteligjente, të cilat janë një mjet me aftësi të jashtëzakonshme në duart e  drejtuesve të shkollave, punonjësve të sigurisë por natyrisht edhe të vetë prindërve”, tha Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se kamerat inteligjente janë vendosur në të njëjtat hapësira ku ndodheshin sistemet e mëparshme, por ofrojnë mundësi shtesë për monitorimin dhe sinjalizimin e situatave të dyshimta.

Rama i cilësoi 20 shkollat e pajisura me teknologjinë e re si “pararojë” të një procesi që do të shtrihet gradualisht në të gjitha shkollat e vendit.

“Këto kamera janë vendosur dhe do të vendosen po aty ku ishin të vjetrat, po ndryshe nga të vjetrat, ato jo vetëm shohin edhe sinjalizojnë në kohë reale drejtorinë, punonjësit e sigurisë apo vetë Policinë e Shtetit duke i ndihmuar ata të kapin shpejt sinjalin, të kuptojnë shumë më mirë për çfarë bëhet fjalë dhe të ndërhyjnë pa humbur kohë. Këto 20 shkolla janë vetëm pararoja e procesit. Zotimin e bërë pas asaj tragjedie, do ta bëjmë realitet shkollë pas shkolle, me teknologjinë në shërbim të njeriut dhe me sigurinë e fëmijëve mbi gjithçka”, tha Rama.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër