Rama: Diaspora shqiptare jo më një histori ikjeje. Jeni në qendër të jetës kombëtare të vendit

Nga D. V.
261 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 14 prill Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur në Samitin IV të Diasporës në Tiranë, theksoi se sot diaspora shqiptare s’është histori ikje, por është në qendër të jetës së kombit, dhe një vlerë e shtuar e saj. Kreu i qeverisë ftoi diasporën për pjesëmarrje në investime, inovacion dhe në ndërtimin e asaj që e konsideroi si të ardhmen e Shqipërisë, raporton A2CNN.

“Sot kur bota është më e ndërlidhur se kurrë dhe kur fjala, si kurrë më parë ven e vjen në çast sa hap e mbyll sytë nga një kontinent në tjetrin, ju jeni zgjatim i gjallë i Shqipërisë kudo në botë. Fryma e kombit përtej gjeografisë, prova e tij se identiteti nuk përmblidhet në kornizën e hartës, por zgjerohet nga udhëtimet e njerëzve të tij. Ka pasur një kohë, jo shumë larg, kur shqiptarët iknin nga atdheu duke i mbajtur zemrat si gurë mbi shpinë, duke marrë me vete guximin e kujt s’ka asgjë për të humbur dhe dhembjen e ndarjes me gjithçka i lidhte pas kësaj bote. Por atë që historia deri dje e quante ikje të pangushëllueshme, koha e ka shndërruar në një lidhje të pazëvendësueshme. Ajo që dikur dukej si hendek, sot është bërë urë. Sot, Diaspora shqiptare nuk është më një histori ikjeje, ajo është një histori e shumëfishimit të forcave të kombit shqiptar dhe vlerës së shtuar të Shqipërisë”, tha Rama.

“Miqtë e mi, ky samit nuk është një mbledhje ceremoniale, është një deklaratë qëllimesh të larta dhe të përbashkëta; është pa dyshim dhe mishërim i bindjes sonë se diaspora shqiptare nuk është në periferi të jetës kombëtare të Shqipërisë, por në qendrën e saj. Shqipëria sot nuk është më vendi që i kërkon diasporës kujtesë dhe indulgjencë monetare. Ky vend është një kantier i madh transformimesh që e fton diasporën në pjesëmarrje; pjesëmarrje në investime, pjesëmarrje në inovacion dhe në jetën akademike, pjesëmarrje në ndërtimin e së ardhmes së Shqipërisë”, shtoi ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër