Kryeministri Edi Rama u shpreh sot nga mbledhja në Kryesinë e Kuvendit me grupin parlamentar të Partisë Socialiste, se forca politike që ai drejton është e vetmja garanci për Reformën në Drejtësi dhe institucionet e drejtësisë së re, në një kohë kur forcat e tjera politike janë shprehur se duan t’i neutralizojnë ato.
Sipas kryeministrit Rama, “për këto forca politike, halli i tyre me drejtësinë është më i madh se interesi kombëtar, apo ai publik”.
“Ka shumë rëndësi kush qeveris në Shqipëri për të ardhmen e Reformës në Drejtësi dhe për të ardhmen e institucioneve të drejtësisë sot. Ne jemi garancia, të tjerët e kanë thënë me zë të lartë dhe janë përbetuar që do të kthejnë mbrapsht Reformën në Drejtësi dhe do shkrijnë institucionet e reja të drejtësisë dhe do neutralizojnë SPAK-un. Ky është shembulli, por mund të marrë dhe plot të tjerë po ky është më i prekshmi”, u shpreh Rama.
Sipas tij, “kjo mund të bëhet vetëm nga forca që hallet e tyre me drejtësinë, i kanë më të mëdha sesa lidhjet e tyre me interesin kombëtar dhe interesin publik. Dhe këto forca janë të shpallura, dhe i njeh gjithë Shqipëria dhe bota”.
Kryeministri Rama u ndal edhe te roli i NATO-së dhe gjeopolitika botërore që tashmë është vënë në lëvizje për të hapur shtegun e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës. Sipas Ramës, “zëri dhe prania e Shqipërisë në NATO është një pozicion i sigurt dhe i palëkundur nga “kua kua kuatë”.
“Vijmë te ana tjetër e medaljes që është gjithë kjo lëkundje e madhe tektonike në një botë ku është hapur shtegu për paqe mes Rusisë dhe Ukrainës dhe ku është vënë në një lëvizje të jashtëzakonshme e gjithë gjeopolitika botërore.
Ne jemi shumë të vegjël për të vendosur çfarëdo qoftë në këtë kontest të madh, por ama fati ynë, interesi ynë është shumë i madh për t’u lënë në drejtim të paditur dhe në këto momente, qoftë për sa i përket BE-së, NATO-s zëri ynë dhe prania jonë dhe siguria jonë e brendshme që do të thotë pozicioni ynë i sigurt i vendosur stabël dhe i palëkundur nga “kua kua kuatë” që janë të mjaftueshme për këtu brenda, por nuk mund të jehojnë jashtë perimetrit të kënetës, është themelor. Nuk ka kapacitete të tjera jashtë PS-së që mund të flasin me botën sot, as me Evropën, as me NATO-n dhe as me askënd tjetër”, u shpreh Kryeministri Rama.

