Rama në Nju Jork: Paqja është kusht politik që zhvillimi ekonomik e bën të mundur

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 25 shtator, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama mori pjesë në edicionin e tetë të takimit të Këshillit Europian të Korporatave, në Nju Jork, ku foli për lidhjen mes paqes, zhvillimit ekonomik dhe perspektivës së brezave të ardhshëm.

Rama u shpreh se ky takim krijon një platformë që bashkon këndvështrime dhe përvoja të ndryshme, duke nënvizuar rëndësinë e dialogut dhe të shkëmbimit të ideve.

“Është një nder dhe privilegj i vërtetë t’ju bashkohem. Kjo platformë, e krijuar për të bashkuar dije që vjen nga burime të papritura, tregon gjithashtu diçka shumë të rëndësishme: kuptimin se paqja nuk është një arritje diplomatike që i paraprin zhvillimit ekonomik, por një kusht politik që zhvillimi ekonomik e bën të mundur”, tha Rama.

Rama theksoi gjithashtu se matësi i vërtetë i progresit është perspektiva që shoqëritë u lënë brezave që vijnë.

“Nuk duhet të harrojmë se masa e vërtetë e progresit është horizonti i mundësive që u lëmë atyre që vijnë pas nesh, dhe për këdo që vjen pas nesh, ky horizont mundësish nuk është vetëm vendi ynë, por bota jonë e përbashkët”, tha ai.

Kryeministri nënvizoi nevojën për të kuptuar dhe diskutuar më shumë me njëri-tjetrin, duke vlerësuar se në Evropë ekziston një pasuri e madhe përvojash dhe idesh që duhet të përfshihen e të përshtaten më mirë.

“Ka kaq shumë gjëra që duhet t’i kuptojmë e t’i diskutojmë së bashku me njëri-tjetrin, dhe ka kaq shumë mençuri atje jashtë, të cilën Evropa nuk ka arritur ta përvetësojë dhe ta zbatojë”, u shpreh Rama.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër