Prishtinë, 18 gusht, Zhurnal.mk – Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se i është bashkuar qytetarëve dhe ka nënshkruar peticionin që kërkon përgjegjësi penale për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Rama, përmes një postimi në Facebook, ka hedhur një sërë akuzash ndaj Kurtit, duke e kritikuar për mënyrën e qeverisjes dhe raportin me institucionet e drejtësisë.
Sipas Ramës, Kurti “ka shpërfillur vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, “ka refuzuar dhe përçmuar prokurorët e Republikës së Kosovës” dhe “ka përdorur paranë publike për përfitime elektorale”.
“Këto nuk janë vetëm shkelje. Janë rrezik për demokracinë dhe shtetin tonë”, ka shkruar Rama.
Ai ka thënë se për këtë arsye ka nënshkruar peticionin që, sipas tij, kërkon përgjegjësi penale për moszbatimin e qëllimshëm të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe keqpërdorimin e parasë publike për përfitime elektorale.
“Prandaj sot iu bashkova qytetarëve dhe nënshkrova peticionin që kërkon përgjegjësi penale për moszbatimin e qëllimshëm të vendimeve të Kushtetueses dhe keqpërdorimin e parasë publike për përfitime elektorale”, ka deklaruar ai.
Rama ka vlerësuar se nënshkrimi i peticionit nga qytetarët tregon, sipas tij, rritje të vetëdijes qytetare.
“Fakti që qytetarët po e thonë gjithnjë e më qartë se askush nuk është mbi Kushtetutën e ligjin dhe paraja publike nuk është pronë partiake, dëshmon rritjen e vetëdijes qytetare dhe kjo është e shëndetshme për demokracinë tonë”, ka shkruar kryetari i Prishtinës.
Në fund, Rama ka theksuar se Kosova nuk duhet të trajtohet si pronë e një partie apo individi.
“Kosova është shtet i të gjithë. Nuk është pronë e një partie, e aq më pak e një njeriu”, ka përfunduar ai.
