Rama për ngjarjen në Zvërnec: Autorët e dhunës janë ndaluar, janë marrë të gjitha masat

Nga D. V.
661 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 12 qershor, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel se personat që ushtruan dhunë në Zvërnec ndaj protestuesve janë ndaluar dhe se janë marrë masa të menjëhershme ndaj të gjithë përgjegjësve.

“Kush ka vënë dorë mbi ata njerëz është ndëshkuar menjëherë. Është shkarkuar drejtori i Policisë së Shtetit në Vlorë për faktin që policia e pranishme aty nuk ka vepruar. Janë në hetim ata që janë pjesë e atij zinxhiri përgjegjësie dhe është hequr licensa e asaj kompanie sigurie. Të gjitha masat janë marrë ashtu siç meritonin, qoftë ata që kryen aktin e papranueshëm të dhunës, qoftë edhe drejtuesi i policisë që lejoi, në mënyrë të papranueshme, që policia të qëndronte indiferente përballë asaj ngjarjeje”, tha Rama.

Ai shtoi se është kërkuar heqja e menjëhershme e telave të gardhit, ndërsa, sipas tij, vetë kompania jashtë vendit ka kërkuar që të hiqet edhe një pjesë e rrethimit.

“Leje ndërtimi nuk ka. E drejta për të rrethuar një pronë private është një e drejtë që materializohet. Pashë edhe atë rrethimin në Rrjoll, që u konceptua si një tjetër pushtim i alienëve, ndërkohë që edhe ajo është një pronë private dhe është rrethuar”, u shpreh Kryeministri.

Rama theksoi se rrethimet në rastet kur ka leje ndërtimi kanë rregullat e tyre, ndërsa situata në Zvërnec nisi nga një akt i rëndë dhune dhe më pas u shoqërua me shqetësime reale për çështjet mjedisore.

“Kemi të bëjmë me një situatë që shpërtheu me plot të drejtë pas një akti të rëndë dhe të papranueshëm dhune, që u transmetua edhe në ekrane. Më pas ajo vazhdoi me shqetësime reale për mjedisin dhe u transformua në një protestë për të rrëzuar qeverinë”, tha ai.

Kryeministri shtoi se, nëse do t’u besonte të gjitha pretendimeve që qarkullojnë në rrjetet sociale, edhe ai vetë do të ishte i revoltuar.

“Por nëse shqetësimi është mjedisi, atëherë duhet të interesohemi konkretisht për mjedisin. Nëse protesta ka për qëllim rrëzimin e qeverisë, kjo është një çështje tjetër”, deklaroi Rama.

I pyetur se kujt i besoi për menaxhimin e situatës, Rama u përgjigj se nuk bëhet fjalë për t’ia besuar dikujt kontrollin e situatës, pasi ekzistojnë institucionet përgjegjëse.

“Këtu ka institucione. Policia e Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme dhe Drejtori i Përgjithshëm kanë bërë detyrën e tyre dhe e kanë bërë në mënyrë të admirueshme, me një shpejtësi që meriton respekt”, tha ai.

Rama nënvizoi gjithashtu se nuk ka pasur asnjë qëllim për të kontrolluar qytetarët.

“Qytetarët janë të lirë dhe mund të bëjnë çfarë të duan, për sa kohë respektojnë sigurinë dhe qetësinë e të tjerëve. Nuk kemi pasur asnjë nevojë të kontrollojmë askënd”, përfundoi Kryeministri.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër