Raporti i Parlementit Evropian: Pak përparim e kritika të shumta

Nga D. V.
675 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 17 qershor, Zhurnal.mk – Parlamenti Evropian sot pritet të miratojë raportin që përmban kritika të shumta për Maqedoninë e Veriut – ngecje reformash, korrupsion dhe ndërhyrje të huaja po e pengojnë rrugën evropiane, shkruan DW, transmeton Zhurnal.

Parlamenti Evropian adreson kritika të ashpra për gjendjen demokratike dhe ngecjen reformuese në Maqedoninë e Veriut, duke paralajmëruar për dobësi serioze në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe pavarësinë e gjyqësorit. Në raportin më të ri të progresit, që pritet të miratohet pasdite (17.06.2026), eurodeputetët konstatojnë se, pavarësisht disa hapave pozitivë, agjenda reformuese ka ngecur ndjeshëm, ndërsa ndërhyrja politike, dobësia institucionale dhe mungesa e vullnetit politik minojnë besimin në sistem. Veçanërisht shqetësuese janë ndryshimet në Kodin Penal, të cilat sipas raportit krijojnë perceptim të pandëshkueshmërisë për korrupsionin e lartë, si dhe dështimi i vazhdueshëm për të arritur vendime gjyqësore dënuese në raste të tilla.

Raporti alarmon gjithashtu për përpjekje të koordinuara për manipulim të diskursit publik dhe përhapje të narrativave anti-evropiane, përfshirë edhe përmes ndikimit të huaj në hapësirën mediatike. Eurodeputetët paralajmërojnë se këto procese e polarizojnë opinionin, e dobësojnë kredibilitetin institucional dhe e vënë në pikëpyetje kursin evropian të shtetit. Në të njëjtin kontekst, vërehen edhe ndikime gjeopolitike në rritje nga vende të treta, që e komplikojnë më tej panoramën reformuese dhe të sigurisë.

Kritika ka edhe në fushën e të drejtave të njeriut, për gjendjen e personave me aftësi të kufizuara dhe komunitetin LGBTIQ+, si dhe për mungesën e përparimit në mbrojtjen e mjedisit, veçanërisht në luftën kundër ndotjes së ajrit. Parlamenti Evropian konkludon se pa reforma thelbësore dhe angazhim politik të qartë, përparimi i Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian do të mbetet i kufizuar.

E njëjta gjë theksohet edhe nga raportuesi Thomas Waitz në deklaratën shpjeguese të raportit:

“Pavarësisht disa hapave pozitivë reformues, përparimi në agjendën e reformave të lidhura me BE – veçanërisht në fushat kyçe si sundimi i ligjit, reforma e gjyqësorit dhe lufta kundër korrupsionit – është i pamjaftueshëm. Kjo vjen si pasojë e fushatës zgjedhore, kapaciteteve të kufizuara në administratën publike dhe mungesës së angazhimit politik të vazhdueshëm”, shkruan Waitz.

Pikat kryesore të raportit të PE (pa ndërhyrje gazetareske):
Gjyqësori dhe sundimi i ligjit: Shprehet shqetësim për pavarësinë e gjykatave dhe prokurorisë, si dhe për dobësitë strukturore dhe financimin e pamjaftueshëm të institucioneve gjyqësore. Kërkohet përshpejtimi i zbatimit të Strategjisë për Reformën e Gjyqësorit 2024‑2028.

Kodi Penal: Ndryshimet që shkurtojnë afatet e parashkrimit dhe ulin dënimet për korrupsion të lartë kanë minuar proceset gjyqësore ekzistuese, duke krijuar perceptim të pandëshkueshmërisë për aktorët politikë.

Korrupsioni: Nuk ka përparim në luftën kundër korrupsionit, i cili mbetet i përhapur. Vërehet hendek i madh mes hetimeve të shpallura dhe vendimeve gjyqësore për korrupsion të lartë. Kërkohet përmirësim i strategjisë kombëtare dhe mbrojtje më e fortë për sinjalizuesit.

Politika e jashtme: Vlerësohet përshtatja e fortë e Maqedonisë së Veriut me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, por shprehet keqardhje për rritjen e abstenimeve në votime ndërkombëtare.

Mjedisi: Përparim i vogël në legjislacionin mjedisor. Kërkohen masa urgjente për përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe ujit, si dhe menaxhimin e ujërave të zeza. Shprehet shqetësim për nivelet e larta të ndotjes së ajrit në qytete.

Mediat: Shprehet shqetësim për blerjen strategjike të mediave nga aktorë hungarezë, që lejon depërtimin e narrativave anti-evropiane. Paralajmërohet për manipulim të koordinuar të diskursit publik.

Të drejtat e njeriut: Nuk ka përparim në të drejtat e personave me aftësi të kufizuara. Kërkohet përmirësim i mbrojtjes ligjore për LGBTIQ+ dhe adresimi i gjuhës së urrejtjes.

Ndikimet e jashtme: Shprehet shqetësim për lidhjet e forta me Serbinë dhe ndikimin ekonomik e politik të Kinës, si dhe për përpjekjet e Rusisë për ndikim. Kërkohet hapja e arkivave të shërbimeve sekrete jugosllave për transparencë dhe demokraci.

Bllokadat bilaterale: Raporti bën thirrje për miratimin e menjëhershëm të ndryshimeve kushtetuese, por paralelisht kërkon që mosmarrëveshjet bilaterale të mos përdoren për bllokimin e rrugës evropiane të vendit.

Thekson se identiteti gjuhësor, kulturor dhe kombëtar është bazë autentike e çdo shteti dhe nuk duhet të vihet në pikëpyetje nga palë të treta; gjithashtu vëren se çështje të tilla nuk duhet të ndikojnë në procesin e anëtarësimit në BE, i cili fokusohet në zbatimin e së drejtës së BE-së dhe përafrimin me vlerat dhe parimet e BE-së të përcaktuara në kriteret e Kopenhagës dhe parimet e marrëdhënieve të mira fqinjësore, dhe që duhet të udhëhiqet nga kritere objektive dhe të bazohet ekskluzivisht në merita; refuzon fuqimisht retorikën etnonacionaliste, përfshirë edhe atë nga aktorë politikë, e cila nxit ndarje dhe i minon marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe marrëdhëniet ndërmjet grupeve dhe komuniteteve etnike; u bën thirrje institucioneve të BE-së të intensifikojnë përpjekjet për kufizimin e kësaj retorike dhe ndikimit të saj.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër