Reforma Territoriale, Boçi: Raporti i KiE ngre shqetësime për konsultimin me komunitetet

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 12 tetor, Zhurnal.mk – Bashkëkryetari i Reformës Administrativo-Territoriale, Luçiano Boçi, tha sot se raporti i Kongresit të Autoriteteve Vendore dhe Rajonale të Këshillit të Evropës ngre shqetësime për konsultimin me komunitetet e prekura në lidhje me hartën e re territoriale të propozuara nga Partia Socialiste, e cila u miratua në Kuvend pak ditë më parë.

Boçi thekson se reforma duhet të garantojë pjesëmarrjen reale të qytetarëve, decentralizimin dhe autonominë e pushtetit vendor.

“Raporti konstaton se konsultimi për ndryshimin e kufijve vendorë nisi në një fazë të avancuar të procesit dhe nuk duket se u ka garantuar banorëve pjesëmarrje kuptimplotë dhe në kohë. Më tej, kërkon që komunitetet e prekura të kenë mundësi reale të shprehin qëndrimin e tyre dhe që mendimi i tyre të merret parasysh përpara vendimit përfundimtar”, thekson Boçi në reagimin e tij.

Sipas Boçit, “raporti vë në dukje edhe prirjen për përqendrim të kompetencave në Tiranë, burimet e pamjaftueshme financiare të pushtetit vendor dhe kapacitetet e kufizuara të bashkive”.

“Në vend që të fuqizojë qeverisjen vendore, PS po propozon të largojë vendimmarrjen nga komunitetet dhe ta përqendrojë edhe më shumë atë në qendër. Këshilli i Evropës kërkon që reforma të mbështetet te decentralizimi dhe subsidiariteti, që burimet financiare të përputhen me përgjegjësitë dhe që konsultimi të jetë real, gjithëpërfshirës e në kohë. Këto kërkesa përplasen drejtpërdrejt me një hartë të përgatitur pa pëlqimin e komuniteteve dhe të paraqitur si zgjidhje të kryer”, theksoi Boçi.

Ai kërkoi ndalimin e procesit në formën aktuale dhe publikimin e kritereve mbi të cilat mbështetet propozimi.

“PS mund ta miratojë hartën me votat e saj, por nuk mund ta kthejë imponimin në konsensus”, shprehet Boçi.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër