Tiranë, 18 gusht, Zhurnal.mk – Kryetari i Bashkisë së Maliqit, Gëzim Topçiu u shpreh sot se ende nuk e ka të qartë statusin që do të kenë qytete si Maliqi me reformën e re territoriale, ndërsa theksoi se me rëndësi është që qytetarët të kenë shërbimet afër dhe të përfitojnë më tepër investime.
Në një intervistë televizive, Topçiu u shpreh se kjo reformë nuk kërkon vetëm një ndryshim ligjor me këtë projektligj i cili ka shkuar në parlament, por kërkon ndryshime të tjera ligjore në ligjin e pushtetit vendor, financat vendore, në kompetencat që duhet të kenë qytetet.
“Ende unë jam i paqartë për atë çfarë do të ndodhë, në kuptimin çfarë do të ndryshojë në qoftë se do të miratohet kjo reformë e re, cila do të jetë statusi i qyteteve tona, i bashkive tona, i kompetencave, i financave, i investimeve. Problematikat janë të gjera edhe pavarësisht kësaj, kjo nuk mund të thuhet me një ‘po’ e me një ‘jo’”, tha ai.
Sipas tij, flitet për 15 qytete me peshë dhe me popullsi të konsiderueshme, ku përfshihen Maliqi dhe Divjaka.
“Vetëm me censin e fundit Maliqi ka rreth 31 mijë banorë nga mbi 65 mijë që ka në gjendjen civile. Që do të thotë që flasim për një komunitet goxha të gjerë, me një bashki me shtrirje goxha të madhe. Të gjitha këto unë tashmë jam duke i përgatitur për t’i çuar një material Kuvendit të Shqipërisë me të gjitha ato çfarë unë mendoj për këtë reformë administrative”, shtoi ai.
Topçiu theksoi se gjatë seancës dëgjimore në komisionin e posaçëm për reformën administrative-territoriale ka qenë kundër shkrirjes apo bashkimit të bashkisë.
“Ka dy nocione. Nocioni që vjen në projektligj nuk është shkrirje, por është bashkim, dhe kanë nxjerrë edhe një nocion tjetër që të jemi të saktë edhe me projektligjin. Projektligji i propozuar pra parashikon që Bashkia Maliq të bashkohet me Bashkinë Korçë, dhe organizimi i brendshëm propozohet të kalojë nga bashki në njësi administrative që jemi sot, në bashki, qytet dhe njësi administrative. Domethënë projektligji parashikon që qyteti i Maliqit të ketë një organizim siç e ka pasur me njësitë administrative. Njësitë administrative të Maliqit nuk do të varen nga Korça, por do të varen përsëri nga Maliqi. Nuk do të ketë kryetar bashkie, por do të ketë një zëvendëskryetar funksional”, sqaroi ai.
Në këtë debat, sipas Topçiut, duhet të shikohet interesi i qytetarëve dhe investimet që do të përfitojë komuniteti.
“Për mua nuk duhet parë pozicioni, pra si një moment që duhet të qajmë hallin e një kryetari bashkie. Por unë mendoj që duhet të shikojmë sa shërbimet ndaj njerëzve venë më afër, sa u zgjidhen më lehtë, sa Maliqi do të ecë jo me këtë ritëm që ka ecur deri tani, por do të ecë më mirë. Sa investime do të marrin më shumë, sa do t’u shërbejë qytetarëve. Domethënë koncepti është shumë i gjerë”, u shpreh Topçiu.
