Rikonstruksioni i Shërbimit të Djegie-Plastikës, Koçiu: Investim në cilësinë e shërbimit për qytetarët

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 24 gusht, Zhurnal.mk – Vijojnë punimet për rikonstruksionin e godinës së Shërbimit të Djegie-Plastikës në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUNT), një investim që synon modernizimin e ambienteve dhe përmirësimin e kushteve të trajtimit për pacientët.

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Albana Koçiu, ndau në rrjetet sociale pamje nga ecuria e punimeve, duke theksuar se ndërhyrja po realizohet sipas standardeve bashkëkohore.

Në pamjet e publikuara pasqyrohet transformimi i godinës, e cila më parë paraqitej e amortizuar dhe me ambiente që nuk plotësonin kushtet e kërkuara për ofrimin e shërbimit, ndërsa aktualisht punimet po vijojnë për rikonstruksionin dhe modernizimin e hapësirave.

Projekti parashikon krijimin e ambienteve të reja dhe modernizimin e kapaciteteve për trajtimin e djegieve dhe ofrimin e shërbimeve të kirurgjisë plastike.

“Ky është investim në cilësinë e shërbimit, por mbi të gjitha investim tek njerëzit. Një tjetër pjesë e ozaikut të transformimit të sistemit shëndetësor, për ta afruar çdo ditë e më shumë me standardet europiane ”, u shpreh Koçiu.

Rikonstruksioni i godinës synon të krijojë kushte më të përshtatshme për pacientët dhe stafin mjekësor, duke përmirësuar infrastrukturën dhe cilësinë e shërbimeve të ofruara në një prej strukturave të specializuara të QSUNT-së.

artikuj të ndërlidhura