Pas më shumë se dy dekadash mungesë, një nga ngjarjet më të dashura të muzikës shqiptare rikthehet fuqishëm në skenë. Më 6 dhe 7 qershor, Radio Televizioni Shqiptar do të sjellë në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit rikthimin historik të Festivalit të Pranverës, një projekt ambicioz që synon të ringjallë traditën, emocionin dhe vlerat e muzikës së lehtë shqiptare.
Festivali vjen me një format modern, por duke ruajtur ADN-në që e bëri një nga ngjarjet më të rëndësishme artistike në vend. Në garë do të ngjiten 20 artistë me këngë origjinale, të cilët do të interpretojnë 100% live, të shoqëruar nga Orkestra Simfonike e RTSH-së dhe bendi muzikor, duke rikthyer standardin e interpretimit të drejtpërdrejtë në muzikën shqiptare.
Interesi i publikut ka qenë i jashtëzakonshëm që në ditët e para. Këngët konkurruese të publikuara në kanalin zyrtar të RTSH-së në YouTube kanë grumbulluar mijëra klikime dhe reagime pozitive, duke e kthyer Festivalin e Pranverës në një nga ngjarjet më të komentuara kulturore të momentit.
Në skenë do të ngjiten gjithashtu yje të muzikës shqiptare, si: Altin Goci, Irma Libohova, Bashkim Alibali, Jonida Maliqi, Rovena Dilo, Aleksandër Gjoka, Eneda Tarifa, Frederik Ndoci, Ledina Çelo, Renis Gjoka, Kamela Islamaj, Dashnor Diko, që kanë shkruar historinë e festivaleve ndër vite, duke krijuar një urë mes brezave dhe një spektakël të papërsëritshëm nostalgjie dhe risie.
Drejtuesit e festivalit kanë konfirmuar se publiku do të shohë një skenografi moderne, teknologji bashkëkohore, performanca live dhe surpriza të shumta artistike, ndërsa organizimi është në fazën finale të përgatitjeve. Një tjetër element që ka tërhequr vëmendjen është prezantimi i festivalit nga dy figura të njohura të artit shqiptar: këngëtarja Bleona Qereti dhe aktori Nik Xhelilaj, të cilët do të udhëheqin dy netët festive në TKOB. Përzgjedhja e fituesit do të bëhet përmes një formule të re votimi, ku 60% e vlerësimit do të vijë nga Juria Profesionale dhe 40% nga Juria “Pranvera Digjitale”, duke kombinuar ekspertizën artistike me perceptimin e brezit të ri dhe botës digjitale.
Vlerësimi i artistëve në këtë festival do të bëhet përmes dy paneleve paralele:
Juria Profesionale, e përbërë nga emra mjaft të njohur në fushën e artit:
Ledina Çelo
Kejsi Tola
Kamela Islamaj
Markelian Kapidani
Eriona Rushiti
Krahas saj, do të funksionojë edhe Juria e “Pranverës Digjitale”, e cila përfshin figura nga bota e artit, marketingut, biznesit dhe moderimit:
Sarah Berisha – Influencer/Sipërmarrëse
Amos Zaharia – Aktor
Krista Merkoçi – Menaxhere Marketing & Shitje
Arjon Muça – Moderator
Rizarta Hoxha – Moderatore/Influencer
Me rikthimin e Festivalit të Pranverës, RTSH synon jo vetëm të rikthejë një traditë të munguar prej 22 vitesh, por edhe të krijojë një platformë të qëndrueshme për artistët shqiptarë dhe një ngjarje të përvitshme që do të pasurojë jetën kulturore të vendit.
Festivali i Pranverës 2026 do të transmetohet drejtpërdrejt në RTSH 1 HD, RTSH Muzikë dhe Radio Tirana 1, më 6 dhe 7 qershor, duke e kthyer fundjavën në një festë të madhe të muzikës shqiptare./rtsh.al/
