Shkup, 13 Maj, Zhurnal.mk – Sot është shënuar përfundim ii punimeve në rinovmin e shtatë sallave operative të spitalit publik “8 Shtatori” në kryeqytet, shkruan Zhurnal.mk.
Me këtë rast një vizitë në këtë spital është bërë edhe nga pjesëtarët e qeverisë, përfshirë Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, e Kryeministri, Hristijan Mickoski.
Ministri Aliu njoftoi se me këto punime rinovuese janë përfshirë 2000 metra katrorë, për kirurgji abdominale, urologji, ORL dhe kirurgji oftalmologjike.
“Sot po flasim për një projekt që paraqet një hap të rëndësishëm në avancimin e infrastrukturës shëndetësore dhe krijimin e kushteve bashkëkohore për trajtim dhe kujdes mjekësor në këtë institucion. Me realizimin e rikonstruksionit dhe adaptimit të bllokut operativ, njësisë së kujdesit intensiv, pjesës administrative, repartit të patologjisë, laboratorit klinik dhe konstruksionit të kulmit, është krijuar një hapësirë shëndetësore tërësisht e re, funksionale dhe teknikisht e harmonizuar, në përputhje me standardet më moderne mjekësore dhe rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Ky projekt nuk paraqet vetëm një rikonstruksion ndërtimor. Ai është investim në sigurinë e pacientëve, në kushte më të mira pune për personelin mjekësor dhe në stabilitetin afatgjatë dhe efikasitetin e sistemit shëndetësor”, theksoi ministri Aliu me këtë rast.
Ai theksoi se veçanërisht e rëndësishme është zbatimi i standardeve më të larta inxhinierike, teknike dhe të sigurisë, me sisteme moderne elektrike dhe mekanike, sistem të avancuar BMS për menaxhim të centralizuar, zgjidhje të reja klimatizimi dhe energjetike, si dhe pajisje të gjeneratës më të fundit.
Ministri njoftoi se është bërë edhe rindërtimi i kulmit dhe integrimi i paneleve diellore me të cilin siç tha ai “kontribuohet ndjeshëm në qëndrueshmërinë energjetike dhe menaxhimin racional të resurseve” të spitalit.
