Promovohet platforma online për kualifikime, Janevska: Arsimi profesional është zgjedhja e parë e të rinjve

Nga D. V.
355 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 13 maj Zhurnal.mk – Për t’ua lehtësuar zgjedhjen nxënësve të klasës së nëntë gjatë regjistrimit në arsimin e mesëm, Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Qendra për Zhvillimin e Arsimit Profesional, me mbështetjen e Ambasada e Zvicrës, përgatitën udhëzuesin online për kualifikime – “kvalifikacii.crso.gov.mk”, i cili do t’u mundësojë nxënësve të sjellin vendim të informuar dhe të drejtë për profesionin në të cilin do të vazhdojnë të edukohen dhe në të ardhmen të punojnë.

Në promovimin e sotëm të udhëzuesit, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, drejtori i Qendrës për Zhvillimin e Arsimit Profesional, Besnik Zendeli dhe zëvendësambasadorja e Zvicrës, Mihal Harari, theksuan se për herë të parë të gjitha informacionet për arsimin profesional janë centralizuar në një vend dhe janë sistematizuar në mënyrë që të mundësojnë kërkim të lehtë sipas sektorëve, kualifikimeve, rajoneve, shkollave dhe niveleve.

“Udhëzuesi ka rol informues dhe këshillues dhe do t’u ndihmojë nxënësve dhe prindërve të tyre që më mirë t’i kuptojnë drejtimet arsimore, perspektivat për arsimim të mëtejshëm, si dhe mundësitë për punësim dhe zhvillim në karrierë. Besoj se të rinjtë do ta përdorin dhe do ta lehtësojnë zgjedhjen e shkollës së mesme kur të vijë momenti për këtë”, deklaroi Janevska.

Sipas saj, politikë publike prej disa vitesh është orientimi i të rinjve drejt arsimit të mesëm profesional, pasi ky është profili që kërkohet nga tregu i punës në Maqedonia e Veriut dhe përfaqëson të ardhmen e shumë nxënësve aktualë të shkollave fillore.

“Nuk do të ishte modesti nëse them se kemi sistem jashtëzakonisht cilësor të arsimit të mesëm profesional dhe veçanërisht model efikas të arsimit dual ku fokusi është vendosur te mësimi përmes punës, përkatësisht mësimi praktik realizohet në vend real pune në kompani, në vend të klasës. Më gëzon që ky lloj arsimi nuk është vetëm alternativë për nxënësit, por tashmë prej disa viteve shkollore është zgjedhja e parë, kështu që në këtë vit shkollor vijues nga 17 mijë nxënës të regjistruar në vitin e parë, rreth 12 mijë janë regjistruar në shkolla profesionale”, informoi Janevska.

Ajo shtoi se politika e regjistrimit e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës mbetet e njëjtë edhe për vitin e ri shkollor. Konkursi i shpallur, i përgatitur së bashku me komunat dhe komunitetin e biznesit, ofron 25 mijë vende të lira, nga të cilat 17 mijë janë në shkolla profesionale.

Prej tyre, pothuajse 7 mijë vende janë në paralelet duale, ku mësimi praktik do të realizohet nga mbi 1000 kompani që, sipas ministres, e njohin përfitimin nga përfshirja e drejtpërdrejtë në formësimin e forcës së tyre potenciale të punës.

“Këto rezultate, të favorshme për ekonominë tonë dhe për zvogëlimin e hendekut midis ofertës dhe kërkesës në tregun e punës, i kemi arritur me mbështetjen e disa partnerëve vendorë dhe ndërkombëtarë, ndërsa veçanërisht një mbështetëse e madhe është Qeveria Zvicerane dhe agjencitë e saj, kështu që besoj se për arritje të reja në të ardhmen, bashkëpunimin do ta ngrisim në një nivel edhe më të lartë”, shtoi Janevska.

Drejtori i Qendrës për Zhvillimin e Arsimit Profesional, Besnik Zendeli, deklaroi se platforma paraqet ndryshim të rëndësishëm në mënyrën e qasjes së institucioneve ndaj qytetarëve.

“Nëse informacioni nuk është i qartë dhe i qasshëm – zgjedhja nuk është zgjedhje e vërtetë, prandaj sot nuk promovojmë vetëm një platformë, sot po ndryshojmë mënyrën e të menduarit”, tha Zendeli.

Ai shtoi se institucioni që drejton merr përgjegjësinë që platforma të përditësohet vazhdimisht dhe të jetë burim i besueshëm dhe gjithëpërfshirës i informacionit për arsimin profesional në vend.

Ndërkaq, zëvendësambasadorja e Zvicrës, Mihal Harari, vlerësoi se platforma përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara në komunikimin e institucioneve publike me qytetarët.

“Kjo platformë përfaqëson hap të rëndësishëm përpara në mënyrën se si institucionet publike komunikojnë me qytetarët, kalim nga komunikimi njëkahësh drejt një qasjeje të orientuar ndaj përdoruesit, e cila kontribuon në ndërtimin e besimit, transparencës më të madhe dhe afrimin e institucioneve me qytetarët”, theksoi Harari.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër