Tiranë, 25 maj, Zhurnal.mk – I Ngarkuari me Punë i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Andre Rizzo vlerësoi sot progresin e Shqipërisë në ndërtimin e institucioneve të nevojshme për t’u përballur me krimin e organizuar dhe për të zbatuar shtetin e së drejtës.
Në fjalën e mbajtur në konferencën ndërkombëtare me temë: “Nga Konfiskimi tek e Mira Publike”, që zhvilloi punimet sot në Tiranë, Rizzo u shpreh se lufta kundër krimit të organizuar dhe sekuestrimi, konfiskimi e përdorimi social i aseteve kriminale nuk janë vetëm përparësi të brendshme, por janë thelbësore për konsolidimin demokratik të Shqipërisë dhe për rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në BE.
“Ndërkohë që vendi i afrohet objektivit me përparime në një sërë frontesh, lufta kundër krimit të organizuar vazhdon të jetë një sfidë në Shqipëri dhe jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon e në të tjera shtete. Krimi i organizuar sot vepron nëpërmes kufijve me teknologji gjithmonë e më të sofistikuar. Minojnë besimin publik, shtrembërojnë tregjet dhe cenojnë sundimin e ligjit duke depërtuar sistemet politike dhe ekonomike”, tha Rizzo.
Sipas tij, për t’u përballur me këtë situatë jo vetëm duhet të ndiqen penalisht aktorët kriminalë, por edhe duhet të goditet në zemër krimi i organizuar.
Rizzo vlerësoi hapat para që ka bërë Shqipëria në këtë drejtim duke forcuar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë dhe duke përforcuar organizma të specializuara si SPAK apo ngritja e institucioneve përkatëse.
Sipas tij, të gjitha këto masa janë thelbësore për të gjurmuar, për të ngrirë dhe për të menaxhuar e për të rikuperuar asetet e paligjshme në mënyrë që ato të vihen në përdorim si duhet.
“Vetëm konfiskimi nuk mjafton. Një prej mesazheve më të qarta që mund të përçojë një shoqëri demokratike është që krimi nuk paguan. Asnjë kriminel nuk duhet të përfitojë në kurriz të qytetarëve. Dhe ja pse përdorimi për qëllime sociale i aseteve të konfiskuara është kaq i rëndësishëm, sepse transformon pasurinë e paligjshme në vlerë publike dhe kthen të ardhurat nga krimi në mundësi për komunitetet”, tha Rizzo.
Në këtë mënyrë, sipas tij, pasuritë e konfiskuara dhe fondet e pronat e tilla mund të ndihmojnë të mbushin hendeqe në arsimim, në kujdes shëndetësor, në infrastrukturë.
“Drejtësia nuk ka të bëjë vetëm me largimin e kësaj pasurie apo marrjen e pasurisë kriminale, por edhe me rivendosjen e vlerës publike aty ku ajo ka humbur. Duam të sigurojmë që këto burime të përdoren efektivisht në mbështetje të grupeve në nevojë për të financuar programe sociale dhe për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë e më gjithëpërfshirëse”, theksoi ai.
Në këtë drejtim, Rizzo vlerësoi se Shqipëria ka luajtur një rol lider në Ballkanin Perëndimor, duke përqafuar konceptin e ripërdorimit për qëllime shoqërore dhe duke e bërë këtë pjesë të kuadrit të saj ligjor.
“Bashkimi Evopian përmes programeve të veta të ndihmës ka mbështetur efektivisht Shqipërinë në këtë drejtim dhe kemi në fakt disa shembuj mjaft kuptimplotë. Në Elbasan asetet e konfiskuara mbështesin në fakt nisma tradicionale, në Durrës trashëgiminë kulturore. Pasuritë e konfiskuara janë transformuar në hapësira krijuese sociale”, shtoi Rizzo.
Rizzo nënvizoi se BE e mbështet Shqipërinë në forcimin e këtyre institucioneve, në harmonizimin me standardet europiane dhe në nismat e ripërdorimit social.
I ngarkuari me punë i BE-së theksoi se procedurat e shpërndarjes së fondeve duhet të mbeten të qarta dhe transparente që të mos lejojnë që këto pasuri të konfiskuara të kalojnë sërish në pronësi të kriminelëve përmes rishitjes apo kontrollit të tërthortë.
“Rrjetet kriminale mund të kërkojnë të ushtrojnë trysni apo të minojnë këto ndërmarrje të reja sociale. Kështu që mbështetja e fortë institucionale dhe zbatimi i fortë i ligjit janë tejet të rëndësishme”, tha Rizzo.
Sekuestrimi i pasurive që vijnë krimi, sipas tij, do të thotë më shumë se sa vetëm të ndëshkojë aktivitetet kriminale.
“Konfiskimi rivendos drejtësinë, rindërton besimin dhe duke i ripërdorur këto pasuri për të mirën e publikut, krijojmë mundësi, forcojmë komunitete dhe ofrojmë shpresë për të ardhmen. Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar për të punuar me institucionet, agjencitë shtetërore, bashkitë e shoqëritë civile për të ndihmuar Shqipërinë që mirëfilli të arrijë rezultate për këtë ambicie”, tha Rizzo.
