RMV në udhëkryq shëndetësor, ikja e mjekëve vazhdon

Nga B.M
245 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 17 maj, Zhurnal.mk – Maqedonia e Veriut po përballet me sfida serioze në sektorin shëndetësor, ndërsa mungesa e kuadrit mjekësor dhe largimi i vazhdueshëm i mjekëve drejt vendeve të huaja mbeten ndër problemet më të mëdha të sistemit. Edhe pse autoritetet kanë ndërmarrë hapa për përmirësimin e kushteve financiare, përfshirë rritjen e kapitacionit për mjekët amë, masat aktuale nuk janë të mjaftueshme për të ndalur ikjen e profesionistëve shëndetësorë, përcjell Zhurnal.mk.

Numri i përgjithshëm i mjekëve ka rënë në 2.783, që paraqet ulje për 13 mjekë krahasuar me vitin paraprak, ndërsa janë shënuar gjithashtu ulje edhe në kontratat e lidhura me institucionet shëndetësore dhe mjekët e kujdesit parësor. Këto të dhëna i tregon raporti vjetor i Fondit për Sigurim Shëndetësor për vitin 2025.

Mjekët dhe njohësit e sektorit theksojnë se përveç pagave, problem mbeten edhe kushtet e punës, ngarkesa e madhe administrative, mungesa e stafit ndihmës dhe perspektiva e kufizuar profesionale. Sipas tyre, një pjesë e madhe e mjekëve të rinj vazhdojnë të shohin të ardhmen jashtë vendit, kryesisht në shtetet e Bashkimit Evropian.

Rritja e kapitacionit, e paralajmëruar si masë për të përmirësuar gjendjen në kujdesin parësor shëndetësor, është pritur pozitivisht nga një pjesë e mjekëve amë, por ata theksojnë se kjo nuk e zgjidh problemin në thelb. Ata kërkojnë reforma më të thella, investime në infrastrukturë, digjitalizim më efikas dhe strategji afatgjate për mbajtjen e kuadrit mjekësor në vend.

Nga ana tjetër, pacientët vazhdojnë të përballen me mungesë terminësh, pritje të gjata dhe vështirësi për të gjetur mjekë specialistë në disa qytete. Situata është veçanërisht shqetësuese në zonat më të vogla, ku mungesa e mjekëve po bëhet gjithnjë e më e theksuar.

Nga opozita disaherë kanë paralajmëruar se pa reforma konkrete dhe përmirësim real të kushteve të punës, sistemi shëndetësor rrezikon të përballet me mungesë edhe më të madhe të personelit në vitet e ardhshme.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër