Roboti shkakton aksident në kryqëzim dhe “arratiset” nga vendngjarja

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Disa persona janë plagosur në një aksident të pazakontë rrugor në Estoni.

”Një autobus urban u përplas në një kryqëzim me një robot  shpërndarjeje  në kryeqytetin e vendit”, raportoi radioja estoneze.

Sipas të dhënave të mbledhura nga kompania e transportit të Talinit (TLT), roboti i vogël i shpërndarjes dyshohet se nuk u ndal në semaforin e kuq të hënën dhe hyri në kryqëzim.

Kompania publikoi në rrjetet sociale një video të përplasjes.

Për të shmangur përplasjen, drejtuesi i autobusit frenoi papritur, duke bërë që disa pasagjerë që qëndronin në këmbë të rrëzoheshin.

Sipas kompanisë së transportit, deri në nëntë persona mbetën të plagosur.

Ndërkohë, roboti i shpërndarjes u përplas me forcë në anën tjetër të rrugës dhe më pas u largua nga vendngjarja.

“Roboti u largua, nëse mund ta quajmë kështu. Ai thjesht vazhdoi të lëvizte pas përplasjes”, tha Andrei Novikov, anëtar i bordit drejtues të TLT-së, për radion estoneze.

Pepe Aaviksoo, përfaqësues i kompanisë prodhuese të robotëve të shpërndarjes “Starship Technologies”, tha se kompania kishte kontaktuar policinë dhe kishte nisur një hetim të brendshëm për të përcaktuar rrethanat e sakta të ngjarjes.

“Është jashtëzakonisht për të ardhur keq që ka ndodhur një aksident i tillë”, deklaroi Aaviksoo, duke shtuar se siguria ishte përparësia kryesore e kompanisë.

Robotët e “Starship” mund të transportojnë deri në 15 kilogramë ngarkesë në një distancë prej pesë kilometrash.

Në Estoni, ata lëvizin plotësisht në mënyrë të pavarur në trotuare për të shpërndarë produkte ushqimore, vakte të përgatitura ose pako.

Mjeti përdor disa kamera për të monitoruar mjedisin përreth.

Aksidenti i fundit i raportuar më parë mes një roboti shpërndarjeje dhe një autobusi kishte ndodhur në prill të vitit 2020.

artikuj të ndërlidhura