Rokada diplomatike mes Prishtinës dhe Shkupit, Meidani: Është nder i madh të përfaqësoj Shqipërinë në Kosovë

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 9 tetor, Zhurnal.mk – Denion Meidani, i propozuar për ambasador të Shqipërisë në Kosovë, ka prezantuar këtë të premte kandidaturën e tij në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Dëgjesa vjen në kuadër të rokadës diplomatike me Petrit Malajn, ku Meidani, aktualisht ambasador në Shkup, pritet të marrë drejtimin e ambasadës shqiptare në Prishtinë, ndërsa Malaj të zhvendoset në Shkup. Gjatë fjalës së tij, Meidani e cilësoi këtë detyrë si një përgjegjësi të veçantë dhe një urë të rëndësishme mes dy shteteve shqiptare, duke kujtuar edhe periudhën e luftës në Kosovë dhe angazhimin e të atit, Rexhep Meidani, në mbështetje të popullit të Kosovës.

“Të nderuar, ju falënderoj për mundësinë për të paraqitur kandidaturën time si Ambasador i Shqipërisë në Kosovë. E pranoj këtë përgjegjësi, sepse është një urë e rëndësishme mes dy shteteve të një kombi.
Në pranverë 1999 kur Kosova po vuante, babai im, Rexhep Meidani premtoi se Shqipëria do të mbetej e hapur. Kosova në ato ditë për familjen tonë ishte më shumë se politikë. Për mua tashmë është një nder i madh, mbaj me vete ADN e babait tim”, u shpreh Meidani. Platformën e tij si kandidat për ambasador të Shqipërisë në Kosovë e prezantoi edhe Petrit Malaj, i cili nënvizoi marrëdhënien e rëndësishme mes dy vendeve.

“Të nderuar, detyra si ambasador i Shqipërisë në Kosovë ka qenë përvojë e veçantë dhe e rëndësishme, kam pasur fatin të punoj për thellimin e marrëdhënieve politike dhe njerëzore. Përvoja më ka mësuar qartë se nuk kërkohet vetëm diplomaci, por edhe besim, pari dhe punë konkrete.

Marrëdhënia me Maqedoninë e Veriut është bartëse e një rëndësie të veçantë, ne jemi miq, që e njohim të shkuarën dhe të ardhmen e përbashkët. Një Maqedoni e Veriut më demokratike dhe europiane është në interes të shqiptareve, maqedonasve dhe gjithë rajonit. Marrëdhënia të forta shtetërore, priortiteti im i parë i këtij mandati do të jetë forcimi i marrëdhënieve politike dhe institucionale midis dy vendeve.

Unë do të synoj vendosjen e një formati komunikimi të rregullt me Ministrinë për Punët e Jashtme dhe Tregtinë e Jashtme në Maqedoninë e Veriut, sikurse me institucionet e tjera shtetërore, partitë politike, institucionet e drejtësisë dhe botën akademike”, u shpreh Malaj mes të tjerash.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër