Rreth 1300 studentë të rinj pranohen në afatin e parë të regjistrimit në Universitetin e Tetovës

Nga D V
769 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 2 shtator, Zhurnal.mk – Pas publikimit të rezultateve përfundimtare të afatit të parë për pranimin e studentëve në vitin akademik 2026/27, nga 1800 aplikime, rreth 1300 kandidatë e kanë fituar të drejtën e regjistrimit në Universitetin e Tetovës. Me këtë rast, Zyra për Arsim u bën thirrje kandidatëve të pranuar që ta kryejnë regjistrimin e semestrit të parë nga 1 deri më 4 shtator 2026.

Përpara regjistrimit, kandidatët këshillohen që t’i lexojnë me kujdes informacionet lidhur me tarifën e semestrit, në varësi të kategorisë në të cilën janë pranuar.

Regjistrimi paraprak duhet të kryhet online, përmes platformës zyrtare:
https://sites.google.com/unite.edu.mk/regjistrimet/rezultatet?authuser=0

Regjistrimi online bëhet përmes profilit personal të aplikimit. Kandidatët mund të kyçen në profilin e tyre duke përdorur adresën e e-mailit me të cilën kanë aplikuar dhe fjalëkalimin e dërguar gjatë aplikimit.

Universiteti i Tetovës rikujton se kandidati i pranuar, i cili nuk e kryen regjistrimin e semestrit brenda afatit të përcaktuar, e humb të drejtën mbi kuotën e fituar, ndërsa vendi do të shpallet i lirë në afatin e radhës.

Pas përfundimit të regjistrimit online, kandidatët duhet ta dorëzojnë fletëpagesën dhe fotografitë në administratën përkatëse, brenda datave të përcaktuara për regjistrim.

Kandidatët shtetas të huaj duhet t’i tërheqin dokumentet për të vijuar procedurën e nostrifikimit në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe t’i zëvendësojnë ato me kopje.
Ndërkaq, kandidatët e tjerë duhet t’i tërheqin dokumentet origjinale nga administrata dhe t’i zëvendësojnë ato me kopje.

Në rast të problemeve me kyçjen në profilin e aplikimit për shkak të problemeve me e-mailin, kandidatët mund ta kontaktojnë Universitetin e Tetovës në adresën elektronike: unikan@unite.edu.mk

Ndërsa, kandidatët të cilët nuk janë pranuar në afatin e parë, do të kenë mundësi që, përmes të njëjtit profil të aplikimit, të aplikojnë në afatin e dytë, nga 7 deri më 11 shtator 2026, në programet studimore ku do të ketë vende të lira.

Universiteti i Tetovës u uron suksese të gjithë kandidatëve të pranuar dhe i fton ata që t’i respektojnë afatet dhe procedurat e përcaktuara për regjistrim.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër