Rrëzohet kërkesa PD-së për interpelancë urgjente me Kryeministrin për ish-kreun e SHISH

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 08 tetor, Zhurnal.mk – Kuvendi rrëzoi me votat e mazhorancës socialiste kërkesën e Partisë Demokratike për zhvillimin e një interpelance urgjente me kryeministrin Edi Rama, me objekt përgjegjësitë institucionale lidhur me emërimin, ushtrimin e detyrës, mbikëqyrjen dhe largimin e ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, si dhe masat e marra për mbrojtjen e informacionit “të klasifikuar” dhe integritetin profesional.

Në fjalën e tij, kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi tha se “Kryeministri duhet të japë llogari për çështje që lidhen me ushtrimin e detyrës së tij”.

“Kryeministri ka një çështje shtetërore që duhet t’i japë llogari Kuvendit të Shqipërisë. Dhe kjo nuk ka të bëjë as me informacione të klasifikuara, as me informacione të NATO-s, as me informacione të klasifikuara “sekret shtetëror”. Kjo ka të bëjë me llogaridhënien dhe përgjegjësinë politike që ka Kryeministri”, tha Bardhi.

Sipas Bardhit, “kryeministri e ka detyrim kushtetues që të vijë në interpelancë kur thirret nga një deputet i Kuvendit të Shqipërisë”.

Bardhi gjithashtu i bëri thirrje Policisë së Shtetit që të “ndalë dhunën ndaj qytetarëve që protestojnë jashtë Kuvendit”.

Sipas tij, “është e papranueshme që Policia e Shtetit të shërbejë si polici politike për të shuar zërin e qytetarëve”.

“Është e papranueshme që qytetarëve t’u mohohet e drejta për të protestuar. Është e papranueshme që Kuvendi i Shqipërisë të rrethohet me tela metalikë për të mos lejuar qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre të protestë. Prandaj thirrja ime në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike është ndalni dhunën ndaj qytetarëve dhe garantoni atyre të drejtën për protestë”, tha ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër