Tiranë, 5 tetor Zhurnal.mk – Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, në seancën parlamentare të së hënës kërkoi më shumë përgjegjshmëri nga institucionet në trajtimin e problematikave të ngritura nga qytetarët, duke vënë në fokus edhe shqetësimin e banorëve të Katundit të Ri në Bradashesh për projektin e Rrugës Egnatia dhe procesin e shpronësimeve.
Duke folur për nismën “Prania Besnike”, Mila tha se gjatë pesë takimeve të zhvilluara në Bradashesh, Papër, Gracen, Labinot Mal dhe Funar janë evidentuar rreth 250 shqetësime, ankesa dhe kërkesa të qytetarëve. Sipas saj, këto çështje janë përcjellë pranë institucioneve përgjegjëse dhe një pjesë e tyre kanë marrë zgjidhje, ndërsa të tjerat vijojnë të jenë në proces.
Mila theksoi se përgjegjësia nuk përfundon me përcjelljen e një ankese, por kërkon ndjekje dhe përgjigje konkrete nga institucionet. “Një ankesë e qytetarit nuk duhet të përfundojë në një zyrë, në një shkresë apo në një numër protokolli”, u shpreh ajo, duke nënvizuar nevojën që qytetarët të informohen për statusin e problematikës së tyre dhe hapat që do të ndërmerren.
Në këtë kuadër, deputetja u ndal te banorët e Katundit të Ri, të cilët kanë ngritur shqetësimin për gjurmën e Rrugës Egnatia, mënyrën se si do të vijojë aksi rrugor dhe pronat që mund të preken nga projekti. Çështja lidhet edhe me procesin e shpronësimeve, për të cilin banorët kërkojnë qartësi dhe informacion të drejtpërdrejtë.
Pas komunikimeve me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar, Mila tha se gjatë kësaj jave përfaqësues të institucioneve, inxhinierë dhe specialistë të shpronësimeve do të zbresin në terren në Katundin e Ri për të verifikuar situatën dhe për të zhvilluar një dëgjesë me banorët.
Qëllimi, sipas deputetes, është që institucionet të japin përgjigje konkrete për gjurmën e rrugës, pronat që preken dhe mënyrën se si do të procedohet me shpronësimet. Ajo theksoi se investimi rrugor është i rëndësishëm, por procesi duhet të shoqërohet me transparencë dhe vëmendje ndaj familjeve që mund të preken nga projekti.
“Pas çdo vije në një hartë ka një pronë. Dhe pas çdo prone ka një familje, një shtëpi, një tokë dhe një histori të ndërtuar me mundin e shumë viteve”, u shpreh Mila, duke nënvizuar se problematikat e qytetarëve duhet të ndiqen deri në marrjen e një përgjigjeje konkrete nga institucionet.
