Vijon edhe sot, 22 shkurt, bllokimi i rrugës Librazhd-Prrenjas, ndërsa ura është dëmtuar rëndë.
Nga terreni, drejtori i ARRSH-së, Ami Kozeli, tha se “problematikat janë shkaktuar edhe prej reshjeve intensive e të zgjatura në kohë”.
“Ka pasur devijime provizore me raste. Fenomenin e lidhim natyrisht me atë natyror, jemi në një zonë ujëmbajtëse, erozioni nga lumi është i madh, gjë që ka shkaktuar destabilizim. Për shkak të rrëshqitjes së madhe u detyruam të bllokonim gjithë aksin dje. Jemi në kushte të tjera sot, kemi një lloj stabilizimi të lëvizjes tektonike. Ura dhe terreni kanë patur lëvizje edhe gjatë mbrëmjes, ura paraqitet në një plan zhvendosje 40 cm, 7 cm nga dita e djeshme”, deklaroi ai, duke shtuar se punimet po kryhen në aksin që është pjesë e Korridorit të 8-të.
“Punimet në bypassin aktual po vijojnë, rruga sot do vijojë të jetë e bllokuar. Sepse punimet mund të shkaktojnë rënie masive dherash, parashikimi është që deri në mesditën e nesërme do ketë punime”, bëri me dije ai.
Kujtojmë se ky aks u bllokua (për automjetet dhe këmbësorët) që të shtunën, në mënyrë që ARRSH të ndërtonte bypass-in provizor.
“Në aksin Librazhd-Pogradec vendi i quajtur Arrat e Gurrës, pas vlerësimit në terren, Autoriteti Rrugor Shqiptar, në koordinim me Policinë e Shtetit, për arsye sigurie njofton se: Do të ndalohet qarkullimi i të gjitha mjeteve në këtë segment. Ndërkohë nga ana e ARRSH po merren masat e nevojshme për të ndërtuar menjëherë një bypass provizor për sigurinë e qytetarëve dhe mjeteve”, thuhej në njoftimin e djeshëm.
Prej më shumë se 24 orësh, lidhja e vetme nga Tirana drejt Korçës është përmes aksit Maliq-Moglicë-Gramsh.
