Rruga Tetovë – Prizren: Detyra projektuese gati por zvarritet hapja e tenderit, nuk ka afat konkret

Nga Xh M
1,011 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 15 mars – Derisa në Kosovë po punohet në terren, në Maqedoninë e Veriut ende nuk është hapur tenderi për ndërtimin e rrugës Tetovë – Prizren, ndërsa nuk ka afat konkret se kur pritet të fillojnë punimet në terren. Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore njoftoi për Portalb.mk se e kanë përgatitur programin projektues për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren, ndërsa të njëjtën e kanë dërguar në Ministrinë e Transportit.

Megjithatë nuk ka ende afat konkret se kur pritet të shpallet tenderi për këtë rrugë.

Zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli Shaqiri e konfirmoi se është përgatitur edhe detyra projektuese, duke e vënë procesin në lëvizje.

“Në kuadër të këtij procesi, gjatë këtij viti përmes Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore janë ndarë rreth 2 milionë euro për përgatitjen e projektimit të detajuar dhe studimit të fizibilitetit për trasenë. Pas përfundimit të këtyre fazave teknike dhe studimeve të nevojshme do të krijohen kushtet për hapat e ardhshëm, përfshirë procedurat për shpalljen e tenderit dhe fillimin e punimeve në terren”, tha Zekolli Shaqiri për Potalb.mk.

Pas shumë zvarritjeve, në prill 2025 u formua grupi i përbashkët i punës midis RMV-së dhe Kosovës për këtë projekt, ndërsa takimi i parë u mbajt dy muaj më pas në qershor, ku u theksua përshpejtimi i procedurave burokratike.

Paraprakisht, nga Ministria e Transportit të RMV-së kanë bërë të ditur se është ndarë buxheti për fazën e projektimit të tunelit.

Ndryshe nga RMV-ja, në Kosovë me 13 gusht 2024 filluan punimet për rrugën Prizren – Tetovë. Paraprakisht me 2 gusht 2024 Kosova nënshkroi kontratat për realizimin e punimeve për këtë projekt. Ndërsa më 23 maj 2024 në Kuvendin e Republikës së Kosovës u miratua propozimi për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëfinancimin e punimeve në rrugën Tetovë – Prizren.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar në Shkup në janar 2024 , vetëm për finalizimin e dokumenteve për projektimin e tunelit që do ta lidh këtë rrugë do të duhen një vjet e gjysmë, që do të thotë deri në mes të vitit 2026.

18 muaj është afati për kompletimin e dokumentacionit të projektit për ndërtimin e tunelit për rrugën Tetovë – Prizren, ndërkaq financimi i ndërtimit të tunelit do të bëhet në vlerë proporcionale, sipas gjatësisë së tunelit në territorin e secilës anë. Kjo mes tjerash është e përfshirë në marrëveshjen mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren, të cilën Portalb.mk e publikoi ekskluzivisht.

Aktualisht prej Tetovës në Prizren, rruga është 109 kilometra, ndërkaq me rrugën e re parashikohet të shkurtohet për 69 kilometra, gjegjësisht kjo rrugë do të jetë e gjatë 40.6 kilometra.

Kjo rrugë në të kaluarën është premtuar në shumë cikle zgjedhore në RMV, por pa realizim deri më tani.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër