Rruga Tetovë-Prizren, Kasami: Ende nuk kemi projekt të plotë

Nga Xh M
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tetovë, 27 shtator Zhurnal.mk – Derisa nga Kosova po bëhen hapa konkretë për realizimin e lidhjes rrugore Prizren–Tetovë, në anën tjetër të kufirit ende nuk ka një projekt të plotë për trasenë e rrugës. Madje, një segment tashmë po ndërtohet mbi Shipkovicë pa u përfunduar projekti konkret për të gjithë rrugën. Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, sqaron se segmenti që po ndërtohet do t’i përshtatet më vonë projektit përfundimtar të rrugës Tetovë–Prizren, por pranon se nuk ka projekt konkret.

“Ne nuk kemi projekt komplet për trasenë e rrugës. Ka pasur një studim, i cili ka ofruar disa opsione, dhe ne tani po realizojmë një segment të asaj traseje. Në bazë të studimit, rruga shkon nga Tetova deri në fshatin Shipkovicë, ku janë paraparë disa opsione. Njëri prej tyre është edhe ky që po realizohet. Për momentin nuk ka projekt konkret. Në momentin kur të realizohet projekti, do të përshtatet edhe traseja e rrugës me rrugët ekzistuese dhe do të parashihet edhe dalja për në Shipkovicë.”, deklaroi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

Kasami thotë se për pjesën e rrugës dhe tunelin janë shqyrtuar disa variante, ndërsa dy qeveritë kanë përcaktuar opsionin me tunel rreth gjashtë kilometra. Megjithatë, edhe për këtë pjesë, sipas tij, ende nuk bëhet fjalë për projekt të plotë.

“Për disa zgjedhje janë ofruar disa opsione. E dini se edhe tuneli, në bazë të studimit që punohet sot për rrugën Tetovë–Prizren, ka pasur tre opsione. Një opsion ka qenë pa tunel, të shkohet në majë të kodrës, një opsion ka qenë me tre kilometra dhe gjashtë kilometra. Për momentin, qeveritë e dy shteteve kanë vendosur opsionin me tunel gjashtë kilometra. Prandaj, rruga nuk është projekt konkret, ka studim dhe ka projekt ideor.”, u shpreh Kasami.

Nga ana tjetër e kufirit, ndërkohë, po punohet për realizimin e projektit të rrugës Prizren–Tetovë. Në takimin që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në Nju Jork, Kurti theksoi rëndësinë e përshpejtimit të procedurave për tunelin Prizren–Tetovë.

“Theksova rëndësinë e përshpejtimit të procedurave për tunelin Prizren-Tetovë, si projekt me rëndësi të veçantë për qytetarët, sikurse edhe për zhvillimin e turizmit dhe ekonomitë e të dyja vendeve.”, shkruan Kurti në rrjetin e tij në Facebook.

Ky projekt kap vlerën e rreth 200 milionë eurove dhe pritet të jetë bashkëfinancim i dy qeverive. Me realizimin e tij, pritet të shkurtohet ndjeshëm rruga mes Tetovës dhe Prizrenit, duke krijuar një lidhje më të shpejtë dhe më të drejtpërdrejtë mes dy qyteteve, si dhe mundësi për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë dhe turizmit.Por, ndërsa nga Kosova flitet për përshpejtim të procedurave dhe për një projekt që duhet të çojë drejt realizimit të kësaj lidhjeje, në anën tonë ende flitet për studime, variante dhe projekt ideor.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër