Tiranë, 13 tetor, Zhurnal.mk – Sot, në Luksemburg, zhvillohet Konferenca e 10-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE, ku pritet të formalizohet mbyllja e negociatave për Kapitullin 20, “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale”.
Me mbylljen e këtij kapitulli, Shqipëria arrin në katër kapituj të mbyllur përkohësisht, duke vijuar progresin e negociatave të anëtarësimit dhe objektivin për përmbylljen e tyre brenda vitit 2027.
Kapitulli 20 lidhet me zhvillimin e sipërmarrjes, politikat industriale, mbështetjen e bizneseve, inovacionin dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare.
Konferenca e parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE
Më 19 korrik 2022 u mbajt Konferenca e parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE, që shënoi zyrtarisht hapjen e negociatave me Shqipërinë.
Kjo konferencë erdhi pas një vendimi të Këshillit të ministrave të çështjeve Evropiane më 25 mars 2020 për të hapur negociatat e pranimit, i cili u miratua nga anëtarët e Këshillit Evropian më 26 mars 2020, si dhe miratimit nga Këshilli më 18 korrik 2022 të Kornizës Negociuese për negociatat me Shqipërinë, në përputhje me metodologjinë e rishikuar të zgjerimit.
Konferenca e dytë Ndërqeveritare Shqipëri-BE
Më 15 tetor 2024 u mbajt Konferenca e dytë Ndërqeveritare Shqipëri-BE.
Takimi shërbeu për të hapur negociatat me Shqipërinë mbi Grup-kapitullin 1: Themeloret, duke përfshirë fushat dhe kapitujt negociues: Funksionimi i institucioneve demokratike; Reforma e administratës publike; Kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të drejtat themelore; Kapitulli 24 – Drejtësia, liria dhe siguria.
Kriteret ekonomike: Kapitulli 5 – Prokurimi publik; Kapitulli 18 – Statistikat; Kapitulli 32 – Kontrolli financiar.
Konferenca e tretë Ndërqeveritare Shqipëri-BE
Më 17 dhjetor 2024 u mbajt Konferenca e tretë Ndërqeveritare Shqipëri-BE.
Takimi shërbeu për të hapur negociatat me Shqipërinë mbi Grup-kapitullin VI: Marrëdhëniet e Jashtme, duke përfshirë kapitujt negociues: Kapitulli 30 – Marrëdhëniet e Jashtme; Kapitulli 31 – Politika e Jashtme, e Sigurisë dhe e Mbrojtjes.
Konferenca e katërt Ndërqeveritare Shqipëri-BE
Më 14 prill 2025 u mbajt Konferenca e katërt Ndërqeveritare. Takimi shërbeu për të hapur negociatat me Shqipërinë mbi Grup-kapitullin II: Tregu i brendshëm, duke përfshirë kapitujt negociues: Kapitulli 1 – Lëvizja e lirë e mallrave, Kapitulli 2 – Liria e lëvizjes së punëtorëve, Kapitulli 3 – E drejta e themelimit dhe liria për të ofruar shërbime, Kapitulli 4 – Lëvizja e lirë e kapitalit, Kapitulli 6 – E drejta e shoqërive tregtare, Kapitulli 7 – E drejta e pronësisë intelektuale, Kapitulli 8 – Politika e konkurrencës, Kapitulli 9 – Shërbimet financiare, Kapitulli 28 – Mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit.
Konferenca e pestë Ndërqeveritare Shqipëri-BE
Më 22 maj 2025 u mbajt në Bruksel Konferenca e pestë Ndërqeveritare për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Kjo konferencë shërbeu për të hapur negociatat me Shqipërinë mbi grup-kapitullin III: Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse. Në këtë grup-kapitull përfshihen: Kapitulli 10 – Transformimi digjital dhe media; Kapitulli 16 – Taksat; Kapitulli 17 – Politika ekonomike dhe monetare; Kapitulli 19 – Politika sociale dhe punësimi; Kapitulli 20 – Politika për ndërmarrjet dhe industrinë; Kapitulli 25 – Shkenca dhe kërkimi; Kapitulli 26 – Arsimi dhe kultura; Kapitulli 29 – Bashkimi doganor.
Konferenca e gjashtë Ndërqeveritare Shqipëri-BE
Më 16 shtator 2025 u mbajt Konferenca e gjashtë Ndërqeveritare Shqipëri-BE që iu kushtua grup-kapitullit IV: Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme, i cili përmban fusha me rëndësi të posaçme për ekonominë dhe biznesin.
Kapitujt përfshinin: politikat e transportit (Kapitulli 14), energjia (Kapitulli 15), rrjetet trans-europiane (Kapitulli 21), mjedisi dhe klima (Kapitulli 27), të cilat prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve dhe janë faktor transformimi për zhvillimin afatgjatë të vendit.
Konferenca e shtatë Ndërqeveritare
Në Konferencën e shtatë Ndërqeveritare me BE-në (17 nëntor 2025) u hapën negociatat mbi grup-kapitullin 5 “Burimet, bujqësia dhe kohezioni”, duke përfshirë kapitujt 11 (bujqësia dhe zhvillimi rural), 12 (siguria ushqimore, veterinaria dhe fitosanitaria), 13 (peshkimi dhe akuakultura), 22 (politika rajonale dhe koordinimi i instrumenteve strukturore) dhe 33 (dispozitat financiare dhe buxhetore).
Ky ishte grup-kapitulli i fundit i negociatave që vendi ynë hapi me bashkimin Evropian në rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE.
Konferenca e tetë Ndërqeveritare Shqipëri – Bashkimi Europian
Në Konferencën e tetë Ndërqeveritare Shqipëri – Bashkimi Europian, u mbajt më 26 maj 2026. Ajo hapi zyrtarisht rrugën për futjen e Shqipërisë në fazën e mbylljes së negociatave për anëtarësim.
Kjo konferencë ndërqeveritare erdhi pas vendimit të miratuar nga Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian (COREPER), i cili konfirmon plotësimin e Kushteve të Ndërmjetme në Grupkapitullin “Themelorët”, si dhe përcakton Kushtet për Mbylljen e negociatave për Kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore” dhe Kapitullin 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria”.
Konferenca e nëntë Ndërqeveritare
Konferenca e nëntë Ndërqeveritare (14 korrik 2026) shënoi hapin e radhës në procesin e negociatave Shqipëri–BE, mbylljen provizore të 3 kapitujve të parë të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, Kapitullin 25 “Shkenca dhe Kërkimi”, Kapitullin 26 “Arsimi dhe Kultura” dhe Kapitullin 30 “Marrëdhëniet me Jashtë”.
