Shkup, 23 korrik – Siguria në burgje si temë është riaktualizuar pas ndodhive të fundit në Kosovë ku një I arratisur nuk ka hezituar të tregojë përvojat e tij gjatë arratisjeve të shpeshta që ka pasur nga burgjet e Kosovës. Tentimet për ikje nga burgu ndodhin kur gjendja në burgje është e mjerueshme dhe ka tortura në kontinuitet. Edhe në vendin tonë shpesh herë ka pasur tentime të njëjta madje edhe përmes hapjes së tuneleve të gjata e përmes formave të ndryshme. Gjatë një inspektimi të jashtëzakonshëm në burgun e Shutkës nga inspektorë të Drejtoria për Sanksione, u konstatuan një sërë parregullsish. Parregullsitë nuk janë të rastësishme, vijnë si rezultat i bashkëpunimit të punësuarve në burgje dhe të burgosurve, shkruan Zhurnal.
Parregullsi të shumta edhe në burgjet e Maqedonisë së Veriut –
Gjatë një inspektimi të jashtëzakonshëm në burgun e Shuktës nga inspektorë të Drejtoria për Sanksione, u konstatuan një sërë parregullsish. Nga Drejtoria për Tv Telma thanë se 13 të burgosur ndodheshin jashtë burgut dhe nuk u gjetën në qeli.
Pas bisedave telefonike me ta, 12 prej tyre janë kthyer menjëherë në burgun hetimor, transmeton portali Lideri.mk, ndërsa një i burgosur ka qenë i padisponueshëm dhe për këtë rast është njoftuar Ministria e Brendshme.
Drejtori i kësaj drejtorie, Aleksandar Pandov, thotë për Tv Telma se në të ardhmen kontrolle të tilla do të bëhen shumë më shpesh për të vendosur rregull.
Ai thotë se është shqetësues fakti që këta persona që duhet të vuajnë dënimin me burg, e që nuk janë në qeli, mund të kryejnë vepra të tjera dhe njëkohësisht të kenë alibi dhe të mos përgjigjen për to.
Ai shton se ky nuk është rasti i parë i tillë, por se do të ndërmerren veprime vendimtare për të zhdukur këtë praktikë.
Statistika nga Këshilli i Evropës, rritet shkalla e burgosjes në Maqedoninë e Veriut –
Më 31 janar të vitit të kaluar në Maqedoninë e Veriut, e ashtuquajtura shkalla e burgosjes ishte 142 të burgosur për 100,000 banorë, që paraqet rritje prej 25.5 për qind në nivel vjetor, treguan të dhënat nga statistikat vjetore penale të Këshillit të Evropës për vitin 2023.
Me këtë, siç njofton AIM, Maqedonia e Veriut është në vendin e dytë në mesin e anëtarëve të Këshillit të Evropës sipas rritjes së shkallës së dënimit me burgim pas Moldavisë, e cila ka rritje prej 52,1 për qind. Pas RMV-së, janë Qiproja me rritje të shkallës së burgosjes prej 24,8 për qind, Turqia me 15, Azerbajxhani me 12,5, Irlanda me 11,7, Mali i Zi me 11,3, Armenia me 10,6, Kroacia me 10,4 dhe Hungaria me 8,7 për qind.
Uljen më të madhe vitin e kaluar më 31 janar 2023 krahasuar me të njëjtën datë të vitit 2022 e ka regjistruar Lituania me 8.9 për qind, përpara Estonisë me 8.8 dhe Greqisë me 5.2 për qind.
Nga vendet e tjera të rajonit, në Bullgari shkalla e burgosjes në një vit është rritur me 8,1 për qind, në Serbi me 4,2 për qind, në Slloveni me 2,1 për qind dhe në Shqipëri me 1,6 për qind, ndërsa në Rumani është e pandryshuar. Ndryshe, norma mesatare e burgosjes në Evropë ka shënuar rritje prej 2.4 për qind.
Kushte katastrofale dhe trajtim jo njerëzor –
Sjellje e papërshtatshme, johumane, abuzuese ndaj të burgosurve, kushte jo të mira, qeli të stërngarkuara me të burgosur dhe mungesë të medikamenteve dhe mbrojtjes shëndetësore. Këto janë disa prej vërejtjeve më kryesore të Komitetit të Helnsikut, të cilat u shënuan në raportin e fundit për gjendjen e burgjeve.
Sipas Komitetit të Helsinkut, fajtori kryesor për këtë gjendje nuk është tek drejtuesit e burgjeve apo te Drejtoria e Sanksioneve, por është tek shteti i cili për këtë çështje nuk duhet të mbështetet vetëm tek donacionet e huaja, por të sigurojë mjete të mjaftueshme për të përmirësuar kushtet dhe për mirëmbajtjen e këtyre institucioneve.
Mbeten mangësitë kryesore të sistemit të burgjeve – sistem i keq i menaxhimit dhe punës së punonjësve, mungesë e stafit, cilësi e dobët e kujdesit shëndetësor për të dënuarit, dhunë mes personave të dënuar, kushte të mjera materiale, mungesë e aktiviteteve të dedikuara dhe korrupsion endemik, pati theksuar Komisioni Evropian në raportin e para këtij viti për progresin e Maqedonisë së Veriut.
Megjithatë, duke marrë për analizë raportin e Komisionit Evropian të këtij viti dhe vitit të kaluar, si dhe raportin e Avokatit të Popullit, lirshëm mund të konstatohet gjendja momentale në burgjet e vendit që është e mjerueshme dhe predispozitat më të larta janë që këto vende të klasifikohen si vende keqtrajtimi dhe jo vende ku mbahen dënimet. Kujdesi shëndetësor dhe higjiena në nivel shumë të ulët ajo për të cilën kanë më së shumti nevojë të burgosurit. Duhet të kujtojmë që të dënuarit në ato hapësira të kufizuara janë të stërngarkuar me numër mbi normalen në proporcion me hapësirën dhe metrat katror të dhomave. Në këto hapësira të pa pastra dhe pa kujdes mjekësor të dënuarit kalojnë 23 orë, një orë të vetme e kanë pauzë jashtë për ajrosje, për të thithë ajrin e ndotur të Shkupit. /Zhurnal.mk

