Sali – Filipidu: Avancimi i agjendës evropiane dhe forcimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë

Nga admin
578 e lexuar
A+A-
Rivendos

Shkup, 14 janar – Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, zhvilloi sot takim me ambasadoren e Republikës së Greqisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Sofia Filipidu, në të cilin u diskutuan prioritetet në procesin e integrimit evropian dhe bashkëpunimi dypalësh midis dy vendeve.

Në takim, siç bëri të ditur MÇE, u diskutua për përshpejtimin e reformave të ndërlidhura me BE-në dhe forcimin e rolit të Ministrisë për Çështje Evropiane si institucion qendror koordinues për procesin e anëtarësimit, si dhe operacionalizimin e strukturave kombëtare të negociatave dhe të agjendës së reformave dhe mekanizmin e reformave dhe rritjes.

Ministri Sali theksoi rëndësinë e ruajtjes së momentit pozitiv në politikën e zgjerimit të BE-së dhe nevojën për rezultate konkrete në zbatimin e Agjendës Reformuese, si dhe për finalizimin e dokumenteve kyçe të planifikimit dhe udhërrëfyesve në fushën e sundimit të ligjit dhe reformës së administratës publike.

Biseda u fokusua edhe në bashkëpunimin dypalësh mes dy vendeve, me theks të veçantë në mundësinë e rifillimit të aktiviteteve në kuadër të Memorandumit për Përshpejtimin e Procesit të Integrimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE (nënshkruar në prill 2019), përmes shkëmbimit të përvojës, ekspertizës dhe njohurive në zbatimin e politikave të BE-së.

Ministri Sali dhe ambasadorja Filipidu vlerësuan bashkëpunimin e shkëlqyer në kuadër të Programit INTERREG IPA të Bashkëpunimit Ndërkufitar Maqedonia e Veriut – Greqi, duke nënvizuar rëndësinë e projekteve që kontribuojnë në përmirësimin e infrastrukturës publike, mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin e arsimit dhe inovacionit, si dhe forcimin e qeverisjes lokale dhe rajonale në zonat kufitare.

Në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE, ministri Sali riafirmoi përkushtimin e Qeverisë për vazhdimin e reformave dhe për ruajtjen e harmonizimit të plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, si shenjë e orientimit strategjik evropian të vendit.

Në fund të takimit, të dy palët konfirmuan gatishmërinë për të vijuar koordinimin e rregullt dhe bashkëpunimin konkret, në funksion të avancimit të agjendës evropiane dhe forcimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore. 

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër