Shkup, 28 nëntor Zhurnal.mk – Kryetari i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela, ka zhvilluar një takim zyrtar në Parlamentin Austriak me deputetin e Partisë Popullore Austriake (ÖVP), Andreas Minnich, i cili është edhe anëtar i Këshillit Kombëtar të Austrisë dhe zëvendëskryetar i Komisionit për Punë të Jashtme.
Gjatë takimit është diskutuar për rrugëtimin e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian, marrëdhëniet mes dy vendeve dhe zhvillimet politike në vend. Sela ka shprehur mirënjohje për mbështetjen historike të Austrisë ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë, ndërsa ka bërë të ditur se ka marrë mbështetje për aspiratat evropiane të vendit.
“I nderuar nga mikpritja që më bëri në Parlamentin Austriak, miku i madh i shqiptarëve, deputeti i Partisë Popullore Austriake (ÖVP), Andreas Minnich, Anëtar i Këshillit Kombëtar të Austrisë, njëherit Zëvendëskryetar i Komisionit për Punë të Jashtme dhe anëtar i Asamblesë së Këshillit të Evropës.
Këtë takim zyrtar në një ditë të rëndësishme për popullin Shqiptar dhe Shqipërinë, e fillova me mirënjohjen tonë për mbështetjen që Austria i ka dhënë kombit dhe shtetit shqiptar në momente vendimtare të historisë, e në veçanti gjatë shtetformësisë dhe Pavarësisë së Shqipërisë. Potencova rëndësinë e vazhdimit dhe thellimit të bashkëpunimit dhe marëdhënieve miqësore me shtetin dhe popullin Austriak, si një ndër aletatët kryesor në familjen e madhe europiane.
Me z.Andreas Minnich biseduam për sfidat që ka vendi ynë në rrugëtimin drejt BE-së, si alternativë e vetme dhe orientim strategjik i popullit tonë. E njoftova edhe me zhvillimet në politikën e brendshme, temat me rëndësi që tangojnë qytetarët në përgjithësi dhe shqiptarët në veçanti, në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Më gëzoi dhe inkurajoi mbështetja e parezervë e deputetit Minnich, partisë që përfaqëson me të cilët ndajmë të njëjtin orientim të Qendrës së Djathtë dhe Qeverisë së Austrisë, në aspiratat tona për ta bërë vendin dhe shoqërinë tonë, demokratike, europiane dhe të barabartë për të gjithë qytetarët dhe popujt.”, ka shkruar Ziadin Sela.
